Sveçla: Drejtësia për Afrim Bunjakun është e pashmangshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas vizitës në veri me kryeministrin Albin Kurti, Sveçla ka thënë se drejtësia për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku duhet të jetë e pashmangshme, duke theksuar se duhet të ndodhë sa më parë “në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriten më asnjëherë”.
“Në vijim të vizitës në veriun e vendit tonë ishim edhe në Banjskë të Zveçanit, në vendin e rënies së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku. Drejtësia për vrasjen e tij dhe për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit është e pashmangshme dhe duhet të ndodhë sa më parë, në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriten më asnjëherë. Takuam edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pikë kontrollin në Bistricë, të cilët ofrojnë siguri për atë zonë”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka shkruar edhe për vrasjen e policit Enver Zymeri, duke kujtuar se sot do t’i mbushte 45 vjet. Ai ka thënë se në nderim të tij u zbulua pllaka përkujtimore në vendin e rënies.
Sveçla ka shtuar se kanë vizituar edhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe kanë diskutuar mbi angazhimet dhe mundësitë e bashkëpunimit./21Media