Sveçla kërkoi mbështetje nga homologu i Landit të Bavarisë për njohjen reciproke të patent shoferëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot u prit në takim nga Joachim Herrman, ministër Shtetëror i Ministrisë për Punë të Brendshme, Sport dhe Integrim, i Landit të Bavarisë.
Në këtë takim, siç informoi MPB, Herrmann theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit konkret në luftimin e trafiqeve të ndryshme, shkëmbimin e informatave, përfshirë edhe migrimin ilegal si dhe shprehu gatishmërinë e tij për vazhdimin e mbështetjes konkrete për Kosovën.
Ndërsa, Sveçla falënderoi ministrin Herrman për mikpritjen dhe mbështetjen që Landi i Bavarisë ka dhënë për Kosovën, sikurse mbështetja e tyre për procese të  rëndësishme siç është anëtarësimi në Interpol dhe lehtësimi i procedurave të ndryshme për shtetasit kosovar që jetojnë në Bavari.
Ministri Sveçla kërkoi mbështetjen e tij në votimin që pritet të mbahet në çerekun e parë të këtij viti për njohjen reciproke të patent shoferëve.
Ai gjithashtu e njoftoi atë me prioritetet dhe rezultatet e arritura deri më tani, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sfidat konkrete në këtë fushë.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme është e rëndësishme të shpreh gatishmërinë time për të punuar shumë ngushtë në fushat e interesit të përbashkët dhe përmes bashkëpunimit të hapur dhe të sinqertë, komunikimit dinamik për të arritur objektivin e përbashkët të rritjes së sigurisë në përgjithësi”, theksoi ndër të tjera Sveçla./21Media

Back to top button