Ish- ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka adresuar kritika ndaj kryeministrit Avdullah Hoti dhe kabinetit të tij qeveritar për keqmenaxhim të situatës me Covid-19.

Sveçla ka thënë se Qeveria nuk ka as plan e as strategji, madje sipas tij, duket që nuk ka as vullnet për t’i shërbyer qytetarëve dhe nuk mund të fshihet prapa hedhjes së fajit e baltosjes së Policisë..

Ai ka shkruar se “se sa e rëndësishme është për Avdullah Hotin dhe LDK-në siguria dhe rendi, na e kanë bërë të qartë qysh në momentin kur kanë vendosur Veliun në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”.

Sipas tij, deri tani, nuk është parë as mbështetja më e vogël të kësaj Qeverie ndaj Policisë së Kosovës.

Por përkundër mosmbështetjes, me të gjitha vështirësitë e mungesat objektive, policia ka qenë në nivel të detyrës. Dështimi për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e qytetarëve, është dështim i Hotit, Zemajt dhe kabinetit të tij. Moskokçarja e kësaj Qeverie po i kushton qytetarëve me jetë. Andaj, përgjegjësia për keqmenaxhim bie mbi Hotin dhe vetëm mbi të. Kjo Qeveri koti, që nuk ka as plan e as strategji, madje duket që nuk ka as vullnet për t’i shërbyer qytetarëve, nuk mund të fshihet prapa hedhjes së fajit e baltosjes së policisë”, ka shkruar Sveçla.