Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, menjëherë pas shfuqizimit të Ligjit për Paga nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ka mbajtur një konferencë për media, me ç’rast ka bërë të ditur veprimet që do t’i ndërmarrin në ditën në vijim.

Kryetari i FSShK-së, Blerim Syla, vendimin e Kushtetueses për anulimin e Ligjit për Paga e ka vlerësuar si lajm të keq për 72 mijë punëtorë, në veçanti për punëtorët shëndetësorë, për të cilët tha se janë në gjendje të rëndë ekonomike.

“Ju kemi drejtuar kryeministrit të vendit që t’ia sqarojmë situatën. Sepse punëtori shëndetësor sot është në situatën më të rëndë dhe të vështirë ekonomike, jo vetëm gjatë pandemisë, por me vite i anashkaluar dhje ky vendim tanimë përfundimisht e ka zbeh vullnetin tonë për punë. Andaj do të tentojmë që me kryeministrin të gjejmë modalitete dhe kërkesa e jonë e parë do të jetë decidive për rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë, ngase nuk kemi kohë të presim ligjin”, tha ai.

Syla akuzoi edhe politikën e cila si sponsorizuese e ligjeve duhet të sqarohet se pse po ndodhin këto kontestime nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se kanë pritur që ligji të amendamentohet, por assesi të anulohet.

“Unë mendoj se është koha e fundit që edhe sponsorizuesit e ligjit të deklarohen sa më shpejtë dhe t’ia shpjegojnë opinionit mbarë kosovarë se cka është duke ndodhur. Ky vendim i sotit është një vendim anti-shtetëror, sepse ju sic e dini këto ligje kanë qenë edhe kusht i MSA-së dhe neve vetëm po shkojnë prapa. Kemi prit ndoshta të ndodhë amendamentimi i tij, por jo të shfuqizohet në tërësi”, tha ai.

I pari i FSShK-së, ka bërë të ditur se nesër do të kërkojnë një takim urgjent me kryeministrin Hoti, ndërsa do të takohen edhe me sindikatat e tjera që përfaqësojnë 72 mijë punëtorët shtetërorë.

“Nesër presim takim urgjent me kryeministrin, do të takohemi edhe me sindikatën e arsimit, policisë, doganave dhe zjarrëfikësve. Po ashtu do të takohemi edhe me odat e profesionistëve shëndetësorë. Të gjithë anëtarët e kryesisë do të jenë në teren ku do ta marrin opinionin e punëtorëve shëndetësorë dhe me siguri që me kohë do të njoftohemi edhe ju. Por ka mundësi që dita e hënë do të na gjejë edhe me reagime edhe më të rrepta sindikale”, tha Syla.

Nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, Syla paralajmëroi masa radikale të papara ndonjëherë në Kosovë./kp