Si është bërë i famshëm imazhi me një sy të vendosur brenda një trekëndëshi? Mathhew Wilson kthehet prapa, shikon historinë e këtij simboli të paqartë.

Teoritë konspirative me simbole të fshehta dhe shenja vizuale kanë lulëzuar. “Syri i Providencës” – një sy i vendosur brenda trekëndëshit është një simbol i tillë që lidhet me masonerinë, gjithashtu me atë që njihet si Iluminati apokrif, grup sekret i disa individëve elitarë që pretendohet se duan të kontrollojnë botën, pra çështjet globale.

Ky sy jo vetëm që shfaqet nëpër godinat e kishave apo ndërtesave masonike në gjithë botën, por edhe në pjesën e prapme të kartëmonedhës amerikane një dollarëshe si dhe në Vulën e Madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në të vërtetë, kjo është një zgjedhje e çuditshme për një simbol në një vend si SHBA. Duket sikur kemi të bëjmë me sensin e fuqishëm të Vëllait të Madh, autoritar dhe të nxehur. Kurse kombinimi me piramidën poshtë, na sugjeron një kult antik dhe ezoterik. Pra, cila është origjina e “Syrit të Providencës?” Pse na magjeps aq shumë? Dhe pse lidhet shpesh me Frimasonët dhe Iluminatin?

Fillimisht Syri i Providencës ishte simbol krishterë dhe shembujt e hershëm të përdorimit të tij mund të gjenden në artin religjioz të periudhës së Rilindjes që përfaqësonte Perëndinë. Shembull tipik është tabloja “Supper at Emmaus”  e Pontormo-s e vitit 1525 edhe pse simboli u pikturua më vonë, mbase në vitet 1600.

Ky simbol u shpik si shenjë e vigjilencës së dhembshur të Perëndisë mbi njerëzimin, më vonë “Syri i Providencës” u personifikua si “Providencë Hyjnore”, pra dashamirësia e Zotit. Nuk dihet saktësisht se kush e shpiku apo krijoi atë, trekëndëshi ishte edhe më herët simbol i Trinisë së shenjtë: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, madje Zoti në shekujt e mëparshëm përshkruhej me një aureolë trekëndore. Rrezet e dritës që shfaqen shpesh janë shenja të një para-ekzistence të shkëlqimit të Zotit në ikonografinë e krishterë. Por cila është zanafilla e frikës që është mishëruar te ky sy? Zoti ishte përshkruar në mënyra të ndryshme të fshehta, të tilla si një dorë e vetme që shfaqej nga një re, por jo si një sy. /21Media