Szunyog: Anëtarësimi i Kosovës dhe i Serbisë në BE varet nga pajtimi i tyre

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, thotë se Bashkimi Evropian është i interesuar për një marrëveshje Kosovë-Serbi sa më shpejt që është e mundur. Ai thotë se rruga e dy shteteve drejt BE-së varet nga pajtimi i tyre.
Megjithatë ai shton se marrëveshja varet nga Kosova dhe Serbia duke theksuar se BE është vetëm lehtësues në këtë dialog.
“Nuk mendoj kështu, nuk besoj që diçka të kemi ndonjë afat përfundimtar artificial por po ashtu do të dëshiroja të theksoja një, që BE natyrisht që është e interesuar që të kemi një marrëveshje sa më shpejt që është e mundur siç e thatë edhe ju, por dialogu është pronë e Serbisë dhe Kosovës, ata i vendosin agjendat. Pra, BE është vetëm lehtësues në këtë dialog, prandaj duhet të ketë vullnet politik të fuqishëm edhe në Prishtinë edhe në Beograd, pra nuk është kjo çështje e BE-së që të caktojë data e që nga perspektiva ime do të ishin afate artificiale”, thotë ambasadori i BE-së.
Ai shpreson që kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë të zhvillojnë takim në ditët në vijim, për çka thotë se ata janë dakorduar që të takohen çdo muaj.
“Të dy palët kërkohet që të negociojnë dhe të pajtohen për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve… Mund të them që edhe Serbia edhe Kosova, anëtarësimi i tyre dhe rruga drejt Bashkimit Evropian varet nga pajtimi i tyre”, thotë ai.
Ai thotë se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi është si përpjekje për të arritur një marrëveshje urgjente për shkak të ndryshimeve në situatën e sigurisë në Evropë.
Ai thotë se për shkak të situatës së sigurisë që lidhet me luftën në Ukrainë, nevojitet një rajon stabil.
“Unë vetëm mund të them se në fakt tani jemi në situatë tjetër të siguresë për shkak të luftës në Ukrainë dhe mendoj që kjo luftë në Ukrainë thjesht mund të theksoj nevojën që të kemi një regjion stabil dhe të kemi stabilitet në përgjithësi në regjionin e Ballkanit Perëndimor. Dhe, po ashtu që të kemi rrugëtim më të shpejtë të regjionit drejt BE-së. Ky propozim është si përpjekje për të arritur një marrëveshje si çështje më urgjente e cila duhet të arrihet sa më shpejt që është e mundur për shkak të ndryshimeve të situatës së sigurisë në Evropë”, thotë ai./KP

Back to top button