Szunyog ia dorëzon Konjufcës raportin e KE-së dhe pakon e zgjerimit të BE-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nga i cili pranoi raportin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe pakon e zgjerimit të Bashkimit Evropian 2021.
Konjufca vlerësoi bashkëpunimin dypalësh dhe kontributin e Bashkimit Evropian për perspektiven evropiane të Kosovës. Ai po ashtu nënvizoi progresin e theksuar në implementimin e reformave që kontribuojnë në procesin integrues të Kosovës në BE, duke veçuar me këtë rast si shembull për demokracinë në rajon e më gjerë mbajtjen e dy palë zgjedhjeve të lira e demokratike brenda këtij viti.
Ambasadori Szunyog shprehu mirënjohje për frymën bashkëpunuese dhe rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në drejtim të avancimit të legjislacionit, sundimit të ligjit dhe shtyrjes përpara të agjendës së përbashkët evropiane./21Media