Szunyog: Kosova duhet ta përdorë Raportin për të përparuar në rrugën drejt BE-së

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në përmirësimin e situatës ekonomike.

Pas takimit të mbajtur me anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian, Szunyog derisa tha se kanë folur për Raportin e fundit për vendin, konsideron se duhet të bëhet rritja e ekonomive në rajon porse edhe të rritet integrimi i ekonomive lokale brenda rajonit. Ndërsa, tha se Kosova duhet të jetë e gatshme ta përdorë këtë raport për të përparuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ai ka theksuar se ky është raporti i fundit para hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me 1 janar, ku sipas tij është një arritje e madhe e arritur së bashku nga autoritet e Kosovës, por edhe nga BE.

Mes tjerash, ai tha se patën një diskutim për disa aspekte, veçanërisht për çështjet e sundimit të ligjit dhe për zhvillimin ekonomik.

Ndërsa, deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se shqetësim mbetet zbatimi i dobët i rekomandimeve të cilat kanë dalë nga Raporti për vendin, pasi siç thotë ajo, institucionet kanë shënuar fare pak progres.

Deliu-Kodra tha se në këtë drejtim institucionet kanë ende shumë punë për të bërë.

Ndërsa, shtoi se të gjeturat e këtij raporti do t’i diskutojnë këtë javë në një seancë plenare ku do të flasim detajisht për secilën fushë ku sipas saj qeveria ka dështuar për të zbatuar rekomandimet e dala nga raporti i vendit për Kosovën.

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka përmendur disa shqetësime tjera nga ky raport, për të cilat shtoi se krimi dhe korrupsioni vazhdojnë të mbesin shqetësuese për vendin.

Back to top button