Vepra e Thomas Stearns Eliot i përket modernizmit, rrymë letrare e cila mori zhvillim midis 1912-ës dhe Luftës së Dytë Botërore. Vepra e tij përbëhet nga poezi dhe poema të cilat ndahen në dy faza të lidhura ngushtësisht me përjetimet personale të vetë autorit. Një pjesë e tyre kanë një atmosferë pesimizmi dhe në to bëjnë pjesë poezitë: “Prufrock-u dhe Vëzhgime të Tjera” (1917) dhe poemat; “Toka e shkretë”, 1922.

Ai u lind më 26 shtator 1888 në Misuri në një familje të shquar dhe u transferua në Angli në 1914 në moshën 25 vjeç ku dhe u vendos për të jetuar. Ai u bë shtetas britanik në vitin 1927 në moshën 39 vjeç, duke hequr dorë më pas nga shtetësia e tij amerikane. I konsideruar si një nga poetët kryesorë të shekullit të 20-të, Elioti tërhoqi vëmendjen e gjerë me poemën “Kënga e Dashurisë së J. Alfred Prufrock” në 1915, e cila u pa si një kryevepër e lëvizjes moderniste. Ajo u pasua nga disa nga poemat më të njohura në gjuhën angleze, duke përfshirë “Tokë e shkretë” (1922), “E mërkura e hirit” (1930) dhe “Katër kuartetet” (1943).

Eliot u vlerësua me Çmimin Nobel në Letërsi në 1948, “për kontributin e tij të shquar si pionier në poezinë e sotme”. Dashuria e fëmijërisë së Eliot me letërsinë mund t’i atribuohet disa faktorëve. Së pari, ai kishte disa probleme shëndetësore të cilat nuk i lejonin aktivitetin fizik dhe shpesh detyrohej të izolohej në shtëpi ku edhe u lidh ngushtësisht me librat dhe leximin.

Ai filloi të shkruajë poezi kur ishte 14 vjeç nën ndikimin e Edward Fitzgerald dhe të Omar Kayan.  Poema e tij e parë e botuar, “Një fabul për festat”, u shkrua si një ushtrim shkollor dhe u botua në Smith Academy Record në Shkurt 1905. Ai ishte i vetëdijshëm për numrin e pakët te krijimeve letrare por këtë e lidhte me perfeksionin që tentonte të arrinte në vargje.

Eliot së pari i botoi poezitë e tij individualisht në revista periodike ose pamflete dhe më pas i mblodhi ato në libra. Poeti i konsideronte “Katër Kuartetet” si kryeveprën e tij dhe me këtë vepër mori Çmimin Nobel në Letërsi. Ajo përbëhet nga katër poezi të gjata, dhe secila ka 5 ndarje. Secila poezi përfshin meditime mbi natyrën e kohës në një aspekt të rëndësishëm – teologjik , historik, fizik – dhe lidhjen e saj me gjendjen njerëzore. Çdo poezi shoqërohet me një nga katër elementët klasikë, përkatësisht: ajri, toka, uji dhe zjarri.

Eliot vdiq në shtëpinë e tij në Kensington në Londër, më 4 Janar 1965, dhe trupi i tij u dogj në krematorium ndërsa hiri u dërgua në kishën e një fshati sipas dëshirës së tij. /21Media