“Ta Pastrojmë Kosovën” vazhdoi edhe në Brezovicë

Edhe një aksion tjetër për pastrim

Në kuadër të aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, gjatë ditës së sotme vullnetarë të shumtë kanë marrë pjesë në pastrimin e ambientit edhe në Brezovicë. Me këtë rast u tha se fatkeqësisht shumë qytetarë të Kosovës nuk e kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së ambientit, pasi ai ndikon në mënyrë direkte edhe në shëndetin e njerëzve.

Zyrtari i lartë për demokratizim pranë misionit OSBE, James Lyon , tha se për një ambient të pastër duhet të jenë përgjegjës dhe të bashkëpunojnë të gjithë qytetarët, në mënyrë që njëherësh të ruhen edhe bukuritë që posedon Kosova.

“Sot në të gjithë Kosovën njerëzit kanë dalë janë grumbulluar që të pastrojnë. Kjo është shumë e rëndësishme për arsye se për ata, të cilët jetojnë këtu d.m.th. për ju Kosova është vendi më i bukur në botë. Fatkeqësisht, shumë qytetarë të Kosovës nuk e kuptojnë rëndësinë dhe ata hedhin mbeturina gjithandej.” ka thënë Lyon.

Koordinatori i Organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, shprehu falënderim për të gjithë ata që iu bashkuan aksionit të sotëm, ndërsa potencoi rëndësinë që aksione të ngjashme të jenë më të shpeshta.
“Me të vërtetë sot unë me ekipin që e ka nis këtë iniciativë po na bënë me u ndje shumë mirë dhe shumë krenarë që më në fund dikush e ka kuptuar drejt atë që është “Let’s do it”, ka thënë ai.

Edhe nënkryetari i komunës së Shtërpcës, Beqir Fejzullahu, kërkoi që të ngritet vetëdija e qytetarëve për ruajtjen e ambientit.

“Ne shpresojmë që duhet ta ngrisim vetëdijen e qytetarit, në mënyrë që hapësirat e përbashkëta publike t’i konsiderojmë njëjtë sikur se i konsiderojmë territorin tonë, hapësirën tonë në shtëpi dhe oborr” , tha Fejzullahu.

Ndryshe, aksione të ngjashme për pastrimin e ambientit janë ndërmarrë edhe në shumë komuna tjera të Kosovës./21Media

Back to top button