Tahiri: Ditë të mira për shëndetësinë nuk do të ketë edhe për një kohë
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pasi, Arben Vitia u rikthye në postin e ministrit të Shëndetësisë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka thënë se “ditë të mira për shëndetësinë siç duket, nuk do të ketë edhe për një kohë”.
“Pas afër tre muaj pritjesh për të reflektuar përballë degradimit të shëndetësisë, degradim që u manifestua edhe tragjikisht, kryeministri Kurti paska vendosur që ta rikthejë në krye të shëndetësisë një ish ministër, i cili, mbahet mend veç për një gjë: strehimin pas videove me mesazhe durimi, kur pandemia rrezikonte jetën e qytetarëve. Ditë të mira për shëndetësinë siç duket, nuk do të ketë edhe për një kohë. A për mafinë e shëndetësisë, me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur”, thuhet në reagimin e Tahirit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi.
Vitia e kishte lënë këtë detyrë, për t’i hyrë garës për kryetar të Prishtinës, të cilën e kishte humbur nga kandidati i LDK-së, tani kryetar i kryeqytetit, Përparim Rama.
Ministria e Shëndetësisë ishte pa ministër që nga 6 tetori kur edhe kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, Rifat Latifi./21Media