Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një postimi në Facebook ka bërë sot thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të zbatojnë me përpikëri masat e reja kundër COVID-19, si mënyra e vetme që mos shkohet drejt izolimit të vendit.

Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pasi do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë.

“Nuk duam dhe do të mundohemi deri në fund të mos bëjmë mbyllje të përgjithshme. Të mos i mbyllim kufijtë, të mos i mbyllim aeroportet sepse pasojat janë të mëdha. Në këtë situatë duhet shtuar kujdesin në secilën fushë dhe sidomos në gastronomi. Për të ruajtur shëndetin e qytetarëve tanë kemi vendosur të ndalojmë të gjitha ahengjet në ambiente të mbyllura, pjesëmarrjen në varrime, të pamet dhe ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të ushtrimit të riteve në objekte fetare. Gjithashtu, ditëve në vijim do të publikohen masat shtesë që do të targetojnë aktivitetet ku mund të ketë turma”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri në Facebook.

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti, sot pas mbledhjes së këshillit të Sigurisë së Kosovës, në një konferencë për media deklaroi se se do të ketë masa rigoroze gjatë ditëve në vijim. /21Media