Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar ashpër kryeministrin, Avdullah Hoti për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsionit.

Ai tha se me këtë vendim, Avdullah Hoti u bë pjesë e krimit dhe korrupsionit.

“Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit, në mënyrë vetanake me një vendim ad hoc, pa analizë, pa bazë dhe kryekëput për qëllime parandalimi të luftimit të korrupsionit, ka rrezikuar statusin e të gjitha lëndëve që kanë qenë në zhvillim e sipër brenda kësaj Task Force. E gjashta, Kryeministri Hoti e ka anashkaluar faktin se në kuadër të reformave institucionale, është duke ndodhur Rishikimi Funksional i Sektorit të Rendit dhe Ligjit”, tha ai.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ish-ministri Tahiri tha se Task-Forca kundër korrupsionit që e ka shuar Avdullah Hoti e ka dëmtuar rënd shtetin edhe në raport me procesin e liberalizimit të vizave por edhe me partnerët strategjikë nga SHBA dhe BE.

“Dëmet e këtij vendimi, jo vetëm që po i shohim në mënyrë deklarative nga partnerët tanë, por do t’i shohim shumë shpejt edhe në praktikë. Jo vetëm që do t’i shohim në raport me aspiratat tona integruese e në procesin e liberalizimit të vizave, por do t’i shohim edhe në trimërinë që e kanë marrë akterët e kriminalitetit”, tha ai.

Ai tha se veprime të tilla do të kthejnë mbrapa përkushtimin për sundimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe për këtë ai përmendi edhe skandalin me 2 milionë eurot që u vodhën nga Thesari i Shtetit.