Tahiri: Ka degradime në shëndetësi, ka humbur fokusi i Qeverisë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ku pritet të diskutohet për Projektligjin buxhetin për vitin 2023, ndërsa të premten do të trajtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara, mes tyre edhe debati parlamentar për shëndetësinë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, adresoi kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për menaxhimin me shëndetësi, për çka tha se kanë iniciuar debat parlamentar të premten për këtë dikaster.
“Si Grup Parlamentar i PDK-së kemi kërkuar votimin e një rezolute që ka të bëjë me gjendjen në shëndetësi në Kosovë. Ju e shihni se tashmë një kohë të gjatë ky sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm është mbetur pa ministër dhe nuk e ka fokusin fare të kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës. Është e pa tolerueshme që për një periudhë kaq të gjatë në këtë sektor të rëndësishëm të mbetet pa ministër. Tash e sa kohë fokusi i qeverisë ka humbur fare, kemi një degradim të shërbimeve dhe kemi një situatë më të rëndë që po krijohet dhe po ndikon në xhepin e qytetarëve”, theksoi Tahiri./21Media

Back to top button