Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përmes një letre drejtuar ministrit të shëndetësisë, Armend Zemaj, kryesuesit të Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Xhevat Jakupit, Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqit dhe anëtarëve të Komitetit për menaxhim të situatës me Covid-19, ka kërkuar që të tërhiqet vendimi me të cilin spitali i Vushtrrisë u shndërrua në spital Covid.

Në reagimin e tij Tahiri ka thënë se qytetarëve s’po u ofrohen shërbimet dytësore dhe po ju rrezikohet shëndeti. Po ashtu, i pari i Vushtrrisë tha se në këtë spital ka hyrje-dalje të pakontrolluara që paraqesin rrezik për përhapje të infeksionit.

Në reagimin e tij, kryetari i Vushtrrisë tha se ky spital s’i ka kushtet e nevojshme për punë. Ai kërkoi që spitali i Mitrovicës të shndërrohet në spital Covid meqë hapësirat e spitalit janë më të përshtatshme, si dhe listoi arsyet pse duhet të tërhiqet ky vendim.

“Së pari, prej ditës së parë të shpalljes së Spitalit për Covid-19, qytetarëve të Vushtrrisë është duke ju rrezikuar shëndeti, meqë nuk po mund të marrin shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor në spital. Kam pranuar shumë shqetësime nga qytetarët e Vushtrrisë, mjekët dhe infermierët e spitalit se stafi nuk ka mjetet mbrojtëse të nevojshme për punë. Stafi i paraparë të vije nga Spitali i Mitrovicës për 3 ditë nuk ka ardhur si mbështetje siç ka qenë e paraparë. Po ashtu, bazuar në informatat që kam, në Spital ka hyrje-dalje të pakontrolluara nga qytetarët, ka mbi 100 vizitorë në ditë që paraqesin rrezik të madh për përhapje të infeksionit tek qytetarët, meqë edhe ashtu Komuna e Vushtrrisë është zonë me numër të lartë të të infektuarve dhe rasteve të kontaktit. Punëtorët fizik që do të duhej të ndalonin prezencën e palëve nuk po kryejn punën e tyre.
Një shqetësim tjetër është se në hapësira të përbashkëta, në një oborr ndodhet edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ku gravitojnë numër i madh i pacientëve ambulantor dhe që rreziku është rritur pasi Spitali është bërë për trajtim të rasteve Covid.
Së fundmi, ka një fushatë të orkestruar kundër meje si Kryetar i Komunës, lidhur me këtë Vendim, e që nuk ka qenë i imi. Duke qenë se Spitali i Mitrovicës ka numër më të madh të specialistëve me më shumë profile mjekësore, me më shumë staf dhe po ashtu, më shumë pacientë të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19, ju kërkoj që Spitalin Covid, ta bartni në Mitrovicë, meqë hapësirat e spitalit janë më të përshtatshme dhe nuk cënohen shërbimet tjera shëndetësore.
Duke shpresuar në reflektimin dhe mirëkuptimin tuaj, mbes me shpresë se do të tërhiqni Vendimin për shëndërrim të Spitalit të Vushtrrisë në Spital Covid dhe me këtë do ndihmoni shëndetit të qytetarëve të Vushtrrrisë dhe të filloni me bartje të pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19 në Spitalin e Mitrovicës.”, shkroi ai në Facebook./21Media

Posted by Xhafer Tahiri on Tuesday, July 21, 2020