Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi sot se triumfi i drejtësisë në fund do ta rikthejë të vërtetën dhe të drejtën mbi luftën e pastër çlirimtare të UÇK-së.

Tahiri tha se “në bankën e të akuzuarit në Hagë, sot nuk qëndroi presidenti Hashim Thaçi si individ, por një epokë e tërë e burrave dhe grave që luftuan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Qëndroi ana më e ndritshme e historisë sonë kombëtare“.

Ai në një postim në Facebook, tha tutje se Serbia duke shtrembëruar të vërtetën mbi luftën çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, do të dështojë në fund pasi akuzat e saj janë të pabaza.

“Me këto akuza të paqëndrueshme e të pabaza, të cunguar e të dështuar ishin e do të mbesin, ata që janë përpjekur ta ndryshojnë historinë. Ashtu siç presidenti Thaçi iu përgjigj me dinjitet këtyre akuzave, edhe historia do ta çrrënjosë përgjithmonë përpjekjen për ta ndryshuar të vërtetën e luftës së popullit tonë për liri e pavarësi”, shkroi Tahiri./21Media