Tahiri nesër procedon kallëzim penal për secilin anëtar të ZRRE-së

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se ishte një debat i gjatë me argumente dhe kundër-argumente mbi arsyet e themelimit të komisionit hetimor për blerjen e energjisë elektrike dhe punësimet në KEK.
Ai tha se për herë të parë pozita po e pengon krijimin e një komisioni hetimor. Ndërsa theksoi se qëndron prapa vendimin për të mos pjesë në votim.
Sa i përket mos respektimit të vendimit të gjykatës për tarifat e energjisë elektrike, Tahiri tha se qysh nesër do të procedojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për secilin anëtarë të ZRRE-së.
Më 17 janar, Zyra e Rregullatorit për Energji kishte dalë me propozim për rritje të faturave, pasi çmimet e energjisë ishin rritur edhe në tregjet evropiane, duke ndikuar kështu në çmimet e importeve të Kosovës.
Pas analizimit të komenteve, Zyra e Rregullatorit për Energji, më 8 shkurt, miratoi vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë.
ZRRE ndryshoi vendimin pasi me rekomandimin paraprak, ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat. Për subvencionimin e këtyre tarifave, Qeveria ndau rreth 90 milionë euro. Por, që ky subvencionim është paraparë vetëm deri në fund të këtij viti, ani pse tarifat do të aplikohen deri më 31 mars 2023.
PDK vendosi t’i drejtohej gjykatës, e cila vendosi masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Por, faturat e rrymës po kalkulohen me të shtrenjtën, e cila nga ZRRE arsyetohet me interpretimin se aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i ekzekutueshëm./kp

Back to top button