Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së. Ai në një letër drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka kërkuar që Avdullah Hoti të marrë pozicionin e Osmanit.

Lidhur më këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhefer Tahiri i cili tha se Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës nuk e ka pasur praktikë të përjashtojë njerëzit e vet aq më pak, Nënkryetaren e vet, Kandidaten e parë grua për Kryeministre për shkak të mendimit ndryshe.

“Në ADN e LDK-së është liria e mendimit, liria e individit. Dr. Vjosa Osmani ka mbrojtur parimet për të cilat ka kërkuar besimin e votuesve të LDK. Të gjithë e kemi ditur që Vjosa nuk i ndryshon parimet e saja, të gjithë e kemi kërkuar në krye të listës së LDK dhe të gjithe kemi përkrahur”, ka shkruar Tahiri.

Ai theksoi se sot, si anëtar i KP të LDK, Kryetar i Vushtrrisë e nënkryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, nuk e ka përkrahur përjashtimin e Vjosa Osmanit. “Prandaj sapo votova JO”, tha ai.

Tahiri këtë moment e vlerësoi su më të rëndin në historinë 30 vjeçare të LDK-së.

“Si qytetarë i Kosovës, anëtar i LDK, si babë i 3 vajzave, nuk po mundem me besu që një grup i ngushtë në LDK po kërkon përjashtimin e një gruaje intelektuale, parimore e që e ka mbështetjen e anëtarëve të LDK dhe të qytetarëve të Kosovës. LDK që e ka themelu Ibrahim Rugova dhe intelektualët më të mdhenjë të kohës, është më e madhe e më e fuqishme se ky grup i ngushtë. LDK ka me u rikthy te gjeneza e vet, bashkë me Vjosën e bashkë me ata qe kanë në ADN parimin e lirisë së mendimit”, ka shkruar tutje ai.

Mustafa thotë se Osmani iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga LDK-ka.

Mustafa ka kërkuar që anëtarët të votojnë sot deri në orën 19:00 në mënyrë elektronike./21Media