Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka vizituar kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi, për t’u njohur për së afërmi me ngjarjen tragjike që ndodhi në Milloshevë ku humben jetën dy fëmijë.

Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës do të jetë pranë familjes, qytetarëve, Komunave dhe komuniteteve, për të përballuar e për të parandaluar këso situata, në mënyrë që rastet si kjo të mos përsëriten.

“Vdekja tragjike e dy fëmijëve të moshës 9-të dhe 11-vjeçare në Milloshevë të Komunës së Obiliqit, është moment i rëndë për familjen, institucionet dhe qytetarët e vendit. Me dhimbje të thellë për humbjen e jetës së dy fëmijëve, shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tërbunja dhe Salihu, të afërmit, Komunën e Obiliqit dhe të gjithë qytetarët. Nga kryetari Gashi u njoftova për reagimin dhe mobilizimin e Komunës së Obiliqit, Komandantit të Stacionit dhe zyrtarëve policor, FSK-së, stafit mjekësor dhe ekipeve tjera të emergjencës komunale. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë familjes, qytetarëve, Komunave dhe komuniteteve, për të përballuar e për të parandaluar këso situata, në mënyrë që rastet si kjo të mos përsëriten”, ka shkruar Tahiri në Facebook.