Murati – opozitës: Edhe kur po rreni, jeni dorështrënguar

Debat për buxhetin 2023

(Lajm i përditësuar)

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, ka thënë se nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2023.
Në seancën e sotme plenare, deputeti Humolli tha se ky buxhet nuk mbështetë pjesëtarët e FSK-së, dhe injoron veteranët dhe familjet e kategorive të dala nga lufta.
“Jam deklaruar edhe para pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të votojë këtë buxhet, për arsye të thjeshtë se nuk ka të drejtë askush të anashkalojë këto vlera, kur ne shohim se Serbia vlerën e luftës së humbur në vitin 1400 i motivon popullatën e vete me qëndruar Kosovë dhe luftuar kundër saj. Kurse ne për njerëzit e gjallë, familjet e gjalla të cilat janë ne i injorojmë. Ky injorim duhet të ndërprerët dhe besoj se në leximin e dytë duhet që ndryshohet kjo qasje në raport me këtë kategori”, tha ai.
 
Buxheti për vitin 2023, Murati përplaset me opozitën
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët opozitarë për projekt-buxhetin për vitin 2023. Murati i quajti hipokritë deputetët e LDK-së, pasi dërguan në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë. Ndërkohë, tha se opozitarët po thonë të pavërteta lidhur me buxhetimin e Ligjit për paga. Në anën tjetër, nga opozita, Murati u vlerësua si ministri më i dobëti në kabinetin qeverisës.
Në seancën e sotme plenare, ministri Murati, ngriti dyshime se LDK-ja mund të ketë interesa me supermarkete, pasi dërguan në Kushtetuese Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë.
“Vetëm dikush hipokrit dhe që mund të ketë interesa të përbashkëta me supermarkete e dërgon një ligj të tillë në Gjykatën Kushtetuese. Ky është fakti, përndryshe kot e keni nëse qaheni këtu se si qytetarëve iu është vështirësuar jeta, ndërsa në anën tjetër tentoni të bllokoni çdo tentativë për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, tha ai.
Mirëpo këto i mohoi deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, derisa vazhdoi ta quante ligjin antikushtetues.
“Me atë ligj shkatërrohet secili market i vogël dhe mesëm në Republikën e Kosovës dhe mbizotërojnë, po dëshironi me shndërruar atë sektor në oligarki ku vetëm një numër shumë i vogël i supermarketeve mbizotërojnë. Sipas logjikës suaj, me këtë i bie se nëse dikush është i lidhur ngushtë me marketet e mëdha jeni ju, jo na, pasi ne po dëshirojmë të vegjlit dhe të mesmit, theksoi Mustafa.
Krahas kësaj, ministri Murati tha se opozita po thotë të pavërteta sa i përket buxhetimit të Projektligjit për paga.
“Kur është bërë ligji i pagave në vitin 2019 nga AAK-ja për vitin pasues, pagat apo shtesat kanë qenë të buxhetuara me 650 milionë euro. Tani kemi buxhetin 745 milionë euro, do të thotë 95 milionë euro më shumë sesa ka planifikuar AAK-ja bashkë me PAN-in aso kohe për të mbuluar ligjin e pagave. Kapërcimi nga viti paraprak ka qenë 620milionë në vitin kur do të zbatohet ligji, ka qenë 650 milionë, 30 milionë euro shtesë, por edhe ato kanë qenë 100 milionë euro më pak sesa i kemi buxhetuar ne. Prandaj kur thoni se nuk ka buxhetim të Ligjit për paga po thotë të pavërteta”, tha Murati.
Atij i reagoi shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se Murati është ministri më i dobëti në kabinetin qeverisës.
“Unë e kuptoj ministrin Murati, i cili ka arritur jo vetëm me mashtru, por me qenë njeriu më i dobët në kabinetin qeverisës, por nuk po kuptoj si një ministër i financave del këtu dhe mbështetë një buxhet, i cili në esencë e rrezikon funksionim e shtetit të së drejtës, sigurinë kombëtare dhe rrezikon secilin sektor vital të shtetit”, tha Tahiri.
 
Murati i drejtohet opozitës: Edhe kur po rreni, jeni dorështrënguar – bile rreni mirë
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se buxheti bënë një hap tutje në realizimin e programit të Qeverisë.
“Veç a jeni që i kaloni Vetingun dhe buxheti bëhet. E njëjta është thënë edhe për Gjykatën Komerciale. Veç kaloni ju në Kuvend”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se janë thënë shumë dezinformata.
Ai ka thënë se Qeveria ka bërë po ashtu një Ligj për çmimet tavan, e atë e ka dërguar opozita në Kushtetuese.
“Vetëm dikush hipokrit dhe që ka interesa me supermarkete e dërgon një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Murati.
Sa i përket mjeteve të kontigjencës ai ka thënë se 75 milionë janë nga fondet e IPA-s. Ka thënë se ka shtim të kontigjencës edhe për ligjet e reja që hynë në fuqi dhe që do të përdoren ato mjete.
Murati, në një fjalë rasti e ka kritikuar opozitën duke thënë se edhe kur gënjejnë, janë duarngrirë.
“Ne kemi të drejtë ta kthejmë pasqyrën nga ju se çka keni bërë kur keni qenë në pushtet. Keni premtuar pagë mesatare një mijë euro, por kur erdhët vetë i rritët pagat 100 për qind. Tash ishit takuar me sindikatat dhe iu kishit premtuar rritje page prej 30 për qind. Edhe me rrena ishit dorështrënguar, bile rreni mirë thoni 50 për qind e jo 30 për qind. Në momentin që kalon një ligj është kontigjenca dhe që shërben për ta zbatuar atë”, ka thënë ai. “Kur keni garuar para pandemisë i keni premtuar 100 euro për qytetarët e kur keni qenë në pushtet keni ndarë mjete për supermarketet”, tha ai.
 
Deputeti i VV-së: Po miratojmë buxhet pa strategji për energji
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kritikuar Qeverinë edhe në Kuvend se po miratojnë buxhet pa strategji për energji.
Deputeti Abazi ka kërkuar nga ekzekutivi që të futet në prioritet buxhetor sigurimi jetësor i Policës së Kosovës, minatorët dhe ngritja e shërbimeve në administratën publike.
“Është fatkeqësi që po miratojmë buxhetin dhe nuk kemi strategji të energjisë të miratuar. Keq e kanë lënë opozita, duke na mbajtur në krizë të përhershme për energjinë dhe vazhdojmë në pozitë të njëjtë me çështjen e energjisë. Viti i ardhshëm nuk duhet të na gjej në këtë gjendje”, theksoi ai.
Deputeti Abazi në seancën ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2023, tha se 20 vjet pas luftës është e pa kuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë të cilët nuk kanë sigurim jetësor.
Ai kërkoi të buxhetohet sigurimi jetësor për zyrtarët e rendit, pasi që sipas tij, siguria e tyre është në rrezik.
“Dua të shkoqis disa çështje që do të duhej të ishin prioritet në ditët e muajt, e vitet në vazhdim. Sigurimi jetësor për Policinë e Kosovës. 20 vjet pas luftës, 14 vjet pas pavarësisë, është e pa kuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë të cilët nuk kanë sigurim jetësor. Sikur të ishin policët e një shteti pa krim të organizuar, pa korrupsion të lartë, ndoshta edhe e kishim pasur komoditen të besojmë që këta policë që duhet të bëjnë hetimet e deri te ata që duhet ta ruajnë sigurinë tonë. Ka shtete që policia nuk mbajnë as armë, për shkak se siguria e tyre nuk është në rrezik. Por në një vend ku nëntoka, krimi i organizuar brenda shtetit dhe në rajon është kaq i madh, rreziku për policin tonë është i përditshëm”, theksoi ai.
Abazi kërkoi që edhe në kategori të veçantë buxhetore të futen edhe minatorët, deputetët e 2 Korrikut dhe buxhetimi për reformë të thellë të administratës publike.
Ai shtoi se vendi ka një administratë jofunksionale të mbingarkuar, ku qytetarët nuk po marrin shërbimet e duhura nëpër sportele.

Sveçla: MPB është në pritje për furnizim në dokumente personale
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se janë në pritje të materialit për dokumente personale. Sipas tij, ka mungesë të lëndës së parë, por që pritet që në fund të këtij muaji të ketë furnizim me materiale për patentë-shofer dhe letërnjoftime e pas dy muajve me pasaporta.
Në seancë plenare, Sveçla deklaroi se situata e krijuar pas luftës në Ukrainë, ka ndikuar në furnizimin me lëndë të parë për prodhimin industrial.
“Çrregullimi i zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë ka implikuar ekonomitë botërore duke shkaktuar shqetësim masiv global tek të gjitha kompanitë ndërkombëtare, të cilat po dështojnë në përmbushjen e kërkesave në gamë të gjerë të mallrave. Kjo situatë e krijuar si forcë madhore ka atakuar edhe prodhuesit e materialit për dokumente personale. Problemi i mungesës së materialit dhe dokumente është paraqitur në fillim të muajit gusht të këtij viti dhe nuk është e vërtetë që përgjatë tërë këtij viti kemi pasur probleme”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ai theksoi se po presin që në fund të këtij muaji të furnizohen me këto materiale.
“Në mesin e gushtit të këtij viti, MPB ka lëshuar urdhër blerje edhe për sasinë shtesë të 30 për qind mbi totalin e kontraktuar që sipas kushteve kontraktuale, liferimi është 40 ditë kalendarike. Mirëpo, për shkak të mungesës së lëndës së parë për material të dokumenteve, duke u thirr në forcë madhore, furnitori ka kërkuar afat shtesë të liferimit. Pra, aktualisht MPB është në pritje për furnizim në dokumente personale, ku fillimisht në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patent-shofer dhe letërnjoftime dhe pas dy muajve edhe me pasaporta, gjithsejtë 73 mijë copë”, ka shtuar Sveçla.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi derisa ka vazhduar me kritikat për mungesën e këtyre materiale, ka përmendur edhe çështjen e tenderomanisë.
“Ministër, është shumë e çuditshme qysh lufta në Ukrainë nuk ka shfaq këtë problem në Maqedoni apo në Shqipëri, por vetëm në Kosovë. Për aq sa është e vërtetë apo nuk është e vërtetë, çdo dy muaj është shfaq çdo dy muaj në ministrinë që udhëhiqni ju, ju lutem kërkoni raport nga departamenti adekuat apo shfletoni edhe mediat. Nuk e di a është problem sigurimi i furnizimit të lëndës së parë apo është problem tendoromania në ministrinë tënde ”, ka deklaruar ajo.
Për këtë ka reaguar ministri Sveçla, i cili tha se për këtë janë ekspertë PDK.
“Sa për tendoromani mendoj që subjekti juaj më së miri mund të na shpjegojë këtë. Kjo është, jo shumë në rregull është. Sa i takon tendoromanisë, jeni ekspertët. Tash unë, po ju them qartë brenda kontratës ekzistuese ne kemi bërë porositë e nevojshme. Furnitori është arsyetu me forcë madhore, e cila parashihet edhe në kontrata”, ka vijuar Sveçla.
Më tej, deputetja e PDK-së deklaroi se llogari për tenderomani kërkon nga Sveçla nga dita kur ai udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme.
 
Kurti: Viti i kaluar, më i suksesshmi për të hyrat dhe rritjen ekonimike 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve në kuvend ka folur për të hyrat dhe rritjen ekonomike në Kosovë.
Ai u shpreh se viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit tonë.
Kurti foli edhe për buxhetin e vitit 2023, për të cilin ritheksoi se do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.
“Kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë paga dhe meditje, 493 milionë euro në kategorinë mallëra dhe shërbime, 1 miliardë e 98 milionë euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”, u shpreh Kurti.
 
Kurti: “Zajednica” s’kaloi testin e Kushtetueses, e pavlefshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar edhe njëherë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke ritheksuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kurti, në seancën plenare, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se përgjigja tashmë është e njohur – Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses.
“Sa i përket qëndrimit të Asociacionit apo ndryshe i njohur si “Zajednica”, ky është i njohur dhe i qartë, në një çështje të cilën jam përjgigjur pa numër herë pyetja është e vjetër. Marrëveshja e Brukselit nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, e cila praktikisht e ka shpallur atë të pavlefshme”, deklaroi ndër të tjera ai.
 
Kurti: Dialogu s’ka qenë asnjëherë më transparent
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej tij janë treguar shumë transparentë dhe kanë treguar bashkëpunim korrekt për procesin e dialogut.
Ai iu përgjigj kritikave të deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila e kritikoi Kurtin për mostransparencë.
“Jemi treguar transparentë, kemi treguar bashkëpunim korrekt. Kemi treguar maturi ndaj vetë procesit, duke mos dëmtuar atë dhe as vetë interesat tona. Pas çdo takimi, publiku është informuar me qëndrimet tona. Gjithçka ka filluar më 15 qershor të vitit të kaluar”, ka thënë Kurti.
 
Tahiri pyeti Kurtin: Ku jemi sot me liberalizim të vizave?
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me çështjen e vizave, duke thënë se si Kuvend nuk mund të rrinë të heshtur e të mos reflektojnë një paaftësi serioze të qeverisë në raport me trajtimin e agjendës së integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave.
“Kthehuni mbrapa dy muaj dhe lexoni deklaratat nga kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, në raport me liberalizimin e vizave, a patën sjellë aq afër sa që me të vërtetë është duke e vendosur kjo qasje Kosovën në një situatë të pafavorshme. Nuk ka asnjë informacion se çfarë po ndodhë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, me këtë qasje, më këtë mënyrë të komunikimit, realisht është një keqardhje e madhe.
 
Deliu – Qeverisë: Mos na bëni “hor”
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu para deputetëve në kuvend kritkoi qeverinë, duke thënë se është një qeveri pa ide.
“Njëra prej dilemave kryesore që e kam sot, është se si mund t’i adresohesh një qeveria pa ide, një qeveria pa vizion, pa punë dhe e cila nuk bën pothuajse asgjë çka duhet të bëjë, e kur nis të bëjë e bën mbrapsht, duke lënë pasoja të gjithanshme”, u shpreh ajo.
Tutje, Deliu pati edhe në kërkesë tjetër për qeverinë.
“Konsideroj që Kosova meriton një qeverisje krejt tjetër, por derisa një e tillë të bëhet, neve nuk ka mbetët asgjë tjetër, veçse të kërkojmë prej kësaj qeverie vetëm një gjë, aman mos na bëni hor, sepse në këtë rast vetëm sherrin jemi duke ua pa, kaq ka mbet me kërku prej jush, pra po e përsëris, aman mos na bëni hor”, tha Deliu./21Media

Back to top button