Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se brenda buxhetit të planifikuar për vitin e ardhshëm, fokus i veçantë do t’i jepet nxitjes dhe fuqizimit të ndërmarrësisë përmes krijimit të lehtësirave për implementimin e ideve inovative.

Këto komente ai i bëri në një forum virtual rreth formësimit të politikave shtetërore për nxitjen e zhvillimit të ndërmarrësisë në Kosovë, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Innovation Centre Kosova (ICK).

Qeveria duke e pasur këtë bosht, apo këtë shtyllë të rëndësishme të ekonomisë së vendit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit e ka një plan të caktuar, mirëpo në anën tjetër edhe me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike janë disa veprime të politikave që do të ndihmojnë, stimulojnë dhe subvencionojnë idetë inovative tek ndërmarrësia në Kosovë” ka thënë Tahiri.

Ndërsa, duke u ndërlidhur me ndryshimet e implementuara për t’u përshtatur me pandeminë COVID-19, Tahiri foli mbi Ligjin për Nënshkrime Elektronike, i cili mundëson kryerjen e një game të madhe të shërbimeve pa prezencë fizike, të cilën ai e cilësoi si lehtësim për qytetarët, që rrjedhimisht mund të ndikojë në stimulimin e inovacionit, krijimin e vendeve te punës dhe zhvillimin ekonomik.

Tahiri theksoi me pjesëmarrësit se brenda Qeverisë ekziston Programi për Zvogëlimin e Barrës Administrative që do të funksionojë në afat kohor për tetë vite, me qëllimin e intervenimit të menjëhershëm për zvogëlimin apo eliminimin e plotë të barrierave administrative që pengojnë zhvillimin e sektorit privat.