Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se sot të gjithë duhet të jemi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në Hagë për shkak se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë dhe saktësisht dihet kush është viktima dhe kush është agresori.

Tahiri ka shkruar se sot gjithashtu të gjithë duhet të jemi me kryeministrin e Kosovës. Avdullah Hotin, i cili sipas tij nuk ka shkuar për qejf në Bruksel, nuk është atje se ka pasur një udhëtim të qejfit, “por ka pasur detyrë dhe obligim që buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe po ashtu prej përkushtimit të Kosovës për një dialog”.

Në secilin moment që Kosova i ka ikur tavolinës ka humbur. Po ashtu, të gjithë ata që frymojnë dhe mendojnë shqip janë me përfaqësuesin legjitim të këtij populli që është në Bruksel, pra me z. Avdullah Hoti. Pra, janë dy procese të ndara: kë e përfaqëson; si e përfaqëson. Këto janë dy tema politike që duhet të trajtohen. Secila tendencë për t’i dobësuar, z. Thaçi në Hagë e z. Hoti në Bruksel, është dëmtim drejtpërdrejt i interesit kombëtar shqiptar të Republikës së Kosovës“, ka shkruar Tahiri ndër të tjera në Facebook. /21Media