Tahiri: Ulja e pagave për gjyqtarët e prokurorët, përpjekje e paramenduar e Kurtit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka deklaruar se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka të bëjë me buxhetin, dhe ligjshmërinë, por është përpjekje e paramenduar e kryeministrit Albin Kurti për të krijuar një krizë identitare ndaj atyre që punojnë për çdo ditë për rend dhe ligj.
Në një reagim në Facebook, Tahiri ka thënë se me uljen e pagave për prokurorët e gjyqtarët në fakt nuk është jo vetëm përpjekje, por edhe përndjekje, e cila nuk duhet të lejohet.
“Në së paku 10 vjetët e fundit, institucionet e Kosovës kanë ndërtuar një perspektivë ku organet e drejtësisë punojnë të pavarura, të pandikuara, të paanshme, që zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç e përcakton Kushtetuta, dhe që për punën e tyre marrin kompensim adekuat e meritor. Sot, kjo perspektivë u përmbys, nga kryeministri që po përmbysë çdo gjë të mirëfilltë, përballë mësymjes jo konvencionale me të cilën ai i është qasur qeverisjes”, ka shkruar Tahiri.
Për më tepër, Tahiri thotë se në kohë inflacioni e stagnimi ekonomik, një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato, madje jo vetëm për gjyqtarë e prokurorë, por për të gjithë sektorin publik.
“Ky vendim ka edhe një dimension kritik institucional e kushtetues, sepse përmes tij është hedhur baza për regres në besimin e paanshmërisë, përkushtimit dhe drejtësisë institucionale, si dhe janë cenuar parimet kushtetuese të pavarësisë së pushtetit të tretë. Përpjekja për ta subordinuar këtë pushtet përmes uljes së pagave dhe lojës me paga, në fakt është jo veç përpjekje. Është në radhë të parë përndjekje. Kjo s’mund dhe s’duhet të lejohet”, ka shtuar Tahiri.
17:58- Tahiri: Vendimi për uljen e pagave për gjyqtarët e prokurorët të dërgohet në Kushtetuese
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët e prokurorët, duke thënë se si i tillë është antikushtetues dhe si i tillë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai në një postim në “Facebook” ka shkruar se për të qenë ironia më e madhe, ky vendim antikushtetues që shfuqizojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese bëhet në emër të kthimit të ligjshmërisë në vend.
“Bëjmë thirrje te deputetët dhe tek Avokati Popullit që këtë vendim arbitrar dhe hakmarrës ndaj sistemit të drejtësisë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe rivendosjen e kushtetutshmërisë në punën e sistemit të drejtësisë”, ka shkruar Tahiri.

Qeveria Kurti në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e vitit 2017 të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Ky vendim ka nxitur shumë reagime dhe është kundërshtuar.
Njohësit e drejtësisë, vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve po e shohin si të kundërligjshëm dhe si diçka që mund t’i hapë mundësi korrupsionit në sistemin e drejtësisë./21Media
 

Back to top button