Në vazhdën e takimeve të punës në vendet e ndryshme evropiane, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi aktualisht gjendet në Cyrih të Zvicrës dhe krahas disa takimeve tjera, takoi edhe përzgjedhësin e Kombëtares, Bernard Challandes.

Në këtë takim, u bisedua në detaje për gjithçka që e pret Kombëtaren A gjatë vitit 2021, duke filluar nga diskutimi për shortin për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2022, si dhe nivelin organizativ brenda ekipit. Ishte konstatim i përbashkët se duhet të krijohet një plan konkret i veprimit gjatë kësaj kohe.

Presidenti Ademi dhe përzgjedhësi Challandes, diskutuan po ashtu jo vetëm për ndeshjet kualifikuese, por edhe për miqësoret e shumta që Kosova do t’ i zhvillojë gjatë vitit 2021, por edhe për situatën aktuale të futbollistëve të Kombëtarës nëpër klubet e tyre.

Një pjesë tjetër dhe e rëndësishme ishte diskutimi për të gjitha projektet e presidentit dhe trajnerit për konsolidimin e stafit dhe realizimin e kampeve dhe sektorëve që duhet të veprojnë.

Në fund u shpreh optimizëm dhe shpresë e përbashkët se viti 2021 do të jetë dukshëm më i mirë sesa viti 2020 për Kombëtarën A.