Talibanët kundërshtojnë zgjatjen e pranisë së trupave të huaja

Talibanët thanë se do të ketë “pasoja” nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e zgjasin praninë në Afganistan përtej 31 gushtit.
Grupi militant ka marrë kontrollin e Kabulit më 15 gusht, dy javë përpara se trupat ndërkombëtare të përfundojnë tërheqjen nga Afganistani.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore thanë se evakuimi kaotik i mijëra njerëzve që duan të largohen nga Afganistani, mund të kërkojë mbajtjen e trupave në terren edhe pas 31 gushtit.
Së paku 20 njerëz kanë humbur jetën në Aeroportin e Kabulit – shumica nga të shtënat dhe rrëmuja.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ekipi i tij i sigurisë kombëtare po diskuton mundësinë e zgjatjes së afatit të 31 gushtit.
Por, zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, paralajmëroi në Sky News se një veprim i tillë do të krijonte “mosbesim” dhe “do të provokonte reagime”.
“Është një vijë e kuqe. Presidenti Biden ka njoftuar se më 31 gusht, SHBA-ja do t’i tërheqë të gjitha forcat e saj ushtarake. Por, nëse e zgjasin afatin, kjo do të thotë se ata po zgjerojnë okupimin”, tha Shaheen.
“Nëse SHBA-ja ose Britania e Madhe do të kërkojnë kohë shtesë për të vazhduar evakuimet – përgjigjja është jo; në të kundërtën do të ketë pasoja”, shtoi ai.
Shaheen nuk sqaroi se cilat mund të jenë pasojat.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara “kanë evakuuar dhe lehtësuar evakuimin e rreth 37,000 njerëzve” qysh më 14 gusht.
Gjithsej, rreth 16,300 njerëz janë transportuar në 89 fluturime të SHBA-së dhe të koalicionit gjatë një dite më parë, tha zyrtari.
Ushtria amerikane ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me talibanët për të lehtësuar evakuimet.
Biden ka thënë se grupi ka qenë “bashkëpunues” në një pjesë rreth aeroportit.
Mijëra trupa amerikane, britanike dhe të tjera janë duke siguruar aeroportin e Kabulit dhe duke bërë përpjekje për t’i mbajtur turmat larg, derisa avionët ushtarakë dhe civilë ngrihen, duke transportuar qytetarë të huaj dhe afganë.

Back to top button