Tamara ishte një mrekulli natyrore, por mungesa e vizionit ndikoi në moszhvillimin e saj

Tamara ishte një mrekulli natyrore, por mungesa e vizionit ndikoi në moszhvillimin e saj

Tamara një fshat në Malësinë e Kelmendit është një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare. Deri para shtrirjes atje të Programit të Rilindjes Urbane, ajo çka prezantonte Tamara ishte një mrekulli natyrore, por njëherësh, dëshmi e harresës përmbi dy dekada dhe mungesës së vizionit për ta zhvilluar si të tillë.

Sot, Tamara ka një shëtitore të re në 5 mijë metra katrorë, është bërë rikonstruksioni i çative të shtëpive karakteristike të zonës, është bërë riveshja e fasadave të ndërtesave në qendër të fashatit, janë mbjelljë pemë përgjatë shëtitores si dhe janë vendosur sistemet e ndriçimit.

Programi i investimit të qeverisë me një fond prej 56 milionë lekë, ka arritur të ndërthurë peizazhin natyror me karakteristikat alpine të zonës, duke e kthyer Tamarën në një burimin të fuqishëm ekonomik për mbi dy mijë banorët e saj dhe një aset të çmuar të turizmit kombëtar.

Por nuk mbaron këtu, qeveria ka projektuar tashmë një projekt të qartë për zhvillimin e turizmit në trevat alpine, ku bën pjesë edhe Tamara. Ndërtimi i rrugës së re të Vermoshit dhe ndërhyrjet e bëra në Tamarë, pritet të shtojnë impaktin e shumëfishtë të fluksit të vizitorëve.

Ndonëse investimet e realizuara deri tani u kanë kthyer shpresën familjeve në Tamarë, për t’i shndërruar bukuritë natyrore në pasuri për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka bërë publik në faqen e tij hapjen e tenderit për rehabilitimin e fshatit Tamarë, në veri të vendit dhe përmirësimin e rrugës për në Vermosh. Afati i fundit i ofertave është 23 gushti, sipas njoftimit dhe punimet e ndërtimit duhet të përfundojnë në 10 muaj.

Punimet konsistojnë në rehabilitimin e pjesës qendrore të fshatit Tamarë, duke ruajtur karakteristikat e tij arkitektonike dhe rindërtimin e një rruge 750 metra që çon në kufirin me Malin e Zi.

Punimet infrastrukturore janë pjesë e një projekti madhor për zhvillimin e Alpeve dhe zonave bregdetare shqiptare, bashkëfinancuar me një hua prej 28.7 milionë euro (33.4 milionë dollarë) nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës (CEB) dhe një kontribut prej 6 milionë eurosh nga qeveria shqiptare, sipas FSHZH.

Ofertimi do të bëhet përmes procedurave të hapura të tenderit, bazuar në udhëzimet e CEB-it për prokurimin e furnizimeve, punëve dhe shërbimeve dhe është i hapur për ofertuesit nga çdo vend.

Vermoshi është një tjetër pikë e atraksionit turistik malor të Shqipërisë. Por ndonëse rruga ka gjatësi vetëm 70 kilometra, për të shkuar nga Kopliku, në Shkodër, në Vermosh duhen rreth katër orë udhëtim i lodhshëm. Pas ndërtimit të rrugës deri në Tamarë, aktualisht po punohet për lotin e dytë të rrugës, nga Tamara në Vermosh.

Me përfundimin edhe të këtij segmenti, deri në Vermosh do të mund të shkohet në më pak se 90 minuta, nëpër një rrugë mbresëlënëse. Nga ballkonet panoramike të projektuara përgjatë gjithë itinerarit mund të shijosh bukuritë natyrore të Malësisë së Kelmendit, shoqëruar me informacion mbi gjeografinë, historinë dhe kulturën e kësaj treve.