Ambasadorët e BE-së dje sërish nuk arritën të arrijnë marrëveshje për konkludimet për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Bullgaria edhe më tej insiston që kërkesat e saja lidhur me historinë të kyçen në tekst, që është e papranueshme për vendet tjera anëtare të BE-së. Konsultimet vazhdojnë në tentimin që të arrihet konsensus deri tek këshilli ministror i BE-së më 8 dhjetor dhe të zhbllokohet situata e cila, sipas diplomatëve në Bruksel, e mban peng jo vetëm eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut por edhe tërë rajonin. Shkupi zyrtar edhe më tej sheh me optimizëm se do të gjindet zgjidhje me Bullgarinë, pranon se koha deri tek takimi ministror është e shkurtër, por do të përpiqet deri në momentin e fundit në zgjidhje pozitive.

Përfaqësuesi special i Qeverisë për Bullgari Vllado Buçkovski deklaroi se është i bindur se Shkupi dhe Sofja do të gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjet dhe do të zhbllokohet rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut.

“Jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje, por jo për shtatë ditë. Ndoshta do të duhet kohë shtesë, por jemi në rrugën e vërtetë. Unë për shkak të përvojës sime nuk do të pranoj me miqtë e tanë bullgarë t’i dërgojmë porositë përmes mediave. Intensivisht punon Komisioni ynë, kemi instrumente të cilat na i jep Marrëveshja për miqësi dhe bashkëpunim. Atë wë e di mbi bazë të gjendjeve të ngjashme krize, heshtja nga ana jonë – kur heshtet është më mirë që të vijmë deri në një zgjidhje të dëshiruar, porositi Buçkovski në konferencën e sotme për shtyp me shefin e diplomacisë Bujar Osmanin.

Shkupi e sheh zgjidhjen në implementimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe vendosje fokus jo vetëm në historinë, por edhe në projektet infrastrukturore, projektet e përbashkëta kapitale, bashkëpunimi në arsim , kulturë, media.

Pikërisht emërimi i Vllado Buçkovskit si përfaqësues special, mund të jetë mekanizëm dhe impuls shtesë në mekanizmat për kthimin e besimit në Marrëveshjen e vitit 2017 që, siç theksoi, është formula e suksesit për tejkalimin e dallimeve midis Shkupit dhe Sofjes.

“Punojmë edhe në forma shtesë të planeve të veprimit përmes të cilave jo vetëm në mënyrë të deklaruar, por edhe esenciale tregojmë qëllime serioze për ta përforcuar rolin e Marrëveshjes për miqësi, veçanërisht efikasiteti dhe implementimi i tij. Në atë drejtim në mënyrë shtesë të këtyre mekanizmave politike intenca jonë është që të përkushtohemi në implementimin e Marrëveshjes dhe përmes emërimit të përfaqësuesit special, qëllimi i mandatit i të cilit do të jetë pikërisht realizimi i çështjeve nga interesi i dy vendeve të përfshira me Marrëveshjen për miqësi dhe unë do të thosha, kthim të besimit në këtë mekanizëm më të rëndësishëm për tejkalimin e çështjeve të hapura mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë”, theksoi Osmani.

Nga Sofja tani për tani zyrtarisht nuk kumtohet nëse deri më 8 dhjetor është i mundur depërtim dhe zhbllokim i kornizës negociuese që duhet ta hapë rrugën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Përveç bllokadës për negociatat midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, Bullgaria po kërkon një tjetër paragraf në lidhje me historinë që vendet anëtare të BE-së nuk mund ta pranojnë. Për shkak të kësaj, miratimi i konkluzioneve për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor qëndron pezull, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Dje dhe sot ka pasur përpjekje midis vendeve anëtare për ta harmonizuar tekstin, por Sofja nuk ka lëshuar pe, për shkak të së cilës u mor vendim për ta pezulluar plotësisht diskutimin për zgjerimin.

Në ditët në vijim, vendet anëtare do të vazhdojnë të negociojnë për këtë temë në mënyrë që ta zhbllokojnë situatën dhe të mos mbahen konkluzionet për vendet e tjera të rajonit.

“Të gjitha opsionet janë në tryezë për momentin, tërheqje e përfundimeve mbi zgjerimin, për kornizën për Shqipërinë, tërheqjen e njërës prej të dyjave ose mbajtjen e të dyjave, negociatat vazhdojnë edhe në nivel joformal”, thonë për MIA-n nga Brukseli.

Eurokomisari për zgjerim Oliver Varheji dje deklaroi se është ende pak e sigurt se deri në fund të vitit do të miratohen korniza negociuese dhe do të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë për anëtarësim në BE.

Sipas tij, shanset janë të vogla, edhe pse Komisioni Evropian dhe presidenca gjermane me BE-në ende punojnë me vendet anëtare në tentimin për të gjetur zgjidhje për fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën.

“Ende shpresoj, por për fat të keq gjithnjë e më pak është e sigurt se sivjet do të mund t’i miratojmë kornizat negociuese”, ka thënë Varheji në debatin në Parlamentin Evropian me rastin e 25 vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit.

Si shans i fundit theksohet Samiti i BE-së në mes të dhjetorit, kontaktet direkte bilaterale mes kryeministrit bullgar Bojko Borisov dhe shefave tjerë të shteteve dhe qeverive të BE-së do të jenë rast për tentim të ri për presion. Veçanërisht pas deklaratës së kancelares gjermane Angela Merkel se shpreson se deri në fund të vitit do të ketë lëvizje për Maqedoninë e Veriut.

Nëse Bullgaria nuk lëshon pe tani, gjysma e parë e vitit 2021 është nën shenjën e presidencën portugeze e cila ka më pak interes për zgjerimin, ndërsa Bullgaria ka zgjedhje në mars, ashtu që me siguri vendimi atëherë do të mund të mbahet madhe për gjysmën e dytë të vitit 2021, që shkakton shqetësim tek shumica e vendeve anëtare lidhur me mbajtjen e kursit reformues në Maqedoninë e Veriut.