Nga Rusia në Serbi do të arrijnë Tanke T-72, konfirmoi ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq.

“Tridhjetë tanke moderne T-72 duhet të arrijnë si pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Putin, të arritur në Soçi. Ato do t’i forcojnë ndjeshëm aftësitë tona ushtarake”, tha Stefanoviq për mediat në Beograd.

Stefanoviq deklaroi se, do të punohet për pajisjen e njësive speciale edhe të zbulimit. Sipas mediave në Beograd, tanket e para nga donacioni rus kanë arritur në Serbi më 28 tetor.

Ky donacion është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në vitin 2016. Marrëveshja më pas është miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Donacioni përfshin edhe gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbulimi BRDM-2.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në vitin 2019 e kishte refuzuar kërkesën e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë për t’i siguruar një kopje të marrëveshjes së donacionit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në atë kohë marrëveshja, “përmban të dhëna sekrete të huaja, pra të dhëna që i janë besuar Republikës së Serbisë nga një shtet tjetër, me detyrimin për t’i mbajtur sekrete”./21Media