Tash tri vjet pa Ligj për investime strategjike

Përfaqësues të bizneseve shprehin shqetësim për shkak të mungesës së ligjit për investime strategjike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se Qeveria është vonuar në procedimin e këtij projektligji.

“Është shumë e nevojshme që të procedohet më shpejtë Projektligji i ri për investime të qëndrueshme. Është një ligj i mirë punuar, shumë më i avancuar sesa ligji që është për momentin, sepse ligji që është në fuqi nuk ka qenë edhe shumë lehtësues për sjelljen e investimeve të huaja. Së paku, në ligjin e ri janë të parapara kriteret, kushtet, janë të parapara edhe fusha ku shteti i konsideron si fusha për investime strategjike. Ne besojmë që edhe gjatë fazës së procedimit në kuvend e komisione do të ketë mundësi që të avancon edhe tutje nëpërmjet eksperteve të huaj dhe vendor dhe aprovimi i këtij ligji në periudhe sa më të shkurtë kohore kish me qenë shumë i mirëseardhur për investimet e huaja strategjike që t’i motivohen investitorët e huaj të vinë të investojnë në vendin tonë..Bile jemi shumë vonë, duhet që sa më shpejtë të procedohet në mënyrë që të avancohet edhe me këtë ligj që të jetë një ambient më i favorshëm për investime”, thotë Rafuna.

Edhe kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi thotë se Kuvendi I Kosovës duhet sa më parë ta miratojë projektligjin për investime strategjike.

“Ky ligj ka disa vite që është dashtë të vazhdohet dhe të ndryshohet dhe fatkeqësisht është shtyrë shumë. Kjo është një nga urgjencat më të mëdha që i duhet Kosovës në mënyrë që të nxisim investime vendore dhe të huaja për të pasur mundësi tërheqjen e këtyre investimeve dhe mundësinë që investimet që janë duke pritë me vite, të cilat fatkeqësisht një pjesë e madhe janë kthyer nga ligji i mëhershëm për investime strategjike të mund të jepet mundësi të kthehen. Pra, është një urgjencë, por edhe nevojë që ky ligj të jetë një ligj që i përshtatet bizneseve, jo si ligji i mëhershëm, për shkak se ai ligj ka pas shumë mungesa e pengesa të ardhjes së investitorëve edhe të mëdhenj. Po shpresojmë se në këtë ligj qeveria do të ketë një bashkëpunim më të madh me dhomat e tregtisë në mënyrë që ligji të jetë funksional dhe sa më i efektshëm”, tha Krasniqi.

Edhe partitë opozitare konsiderojnë se miratimi i Ligjit për investime strategjike është i domosdoshëm. Deputeti i PDK-së Ferat Shala thotë se ky Projektligj sa më parë duhet të ndryshohet dhe të procedohet në Kuvend.

“Parimisht qeveria është vonuar shumë, sepse tashmë po bëhet më shumë se një vit që instituconet e shtetit nuk kanë ligj për investime strategjik. Kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së qeverisë dhe paaftësisë për të hartuar një ligj kompatibil me nevojat dhe rrethanat ekonomike që ka Kosova. Kjo mazhorancë nuk ka arritur as të procedojë ligjin e vjetër së paku që të vazhdonte afati tij edhe për një periudhë të caktuar derisa të përgaditej plotësim ndryshim i ligjit të ri. Shumë investitor që kanë aplikuar me ligjin e vjetër nuk kanë marrë përgjigje dhe tashmë më shumë se dy vjet presin për të marrë përgjigjjet meritore dhe shumë prej tyre janë refuzuar pa baza ligjore e shumë prej tyre kanë ikur në Maqedoni dhe në vende tjera…Mirëpo, ne e kemi kundërshtuar, kemi dhënë vërejtjet, sygjerimet dhe kemi rekomanduar se kështu siç është nuk mund të shkojë më tutje, përkundër nevojës që ka shteti për një ligj të tillë…Do duhej urgjentisht ta rishikoj draftligjin, të bëjë ndryshmet. E nevojshme të cilat i kemi thënë, ta depolitizojë çështjen e ligjit, sepse është i politizuar”, thotë Shala.

Edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj thotë se qeveria duhet që projektligjin për investime strategjike sa më parë ta procedojë në Kuvend.

“Sa i përket investimeve strategjike, Kosova ka ngecur edhe për shkak të mungesës së ligjit, mirëpo edhe për shkak të qeverisë që nuk është bërë joshëse për investitorët, e sidomos për ata strategjik që ndikojnë dukshëm në zhvillimin ekonomik. Pranda, si përfundim qeveria duhet sa më parë ta procedojë në Kuvend dhe të miratohet ky ligj”, tha Lekaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja bëri të ditur se ligji për investime strategjike së shpejti do të procedohet në Kuvend.

“Ligji për investime të qëndrueshme është në rend të ditës në seancën e parë që e mban Kuvendi. E veçanta e ktij është se i adapton të gjitha praktikat e mira evropiane. Po ashtu, krijon njëfarë skeme të organizuar të shërbimeve që shteti i ofron para dhe pas investimit brenda vendit dhe i ofron informacioni të qartë të gjiitha benfitetve fiskale, tatimore që mund t’i ketë dikush, i cili përzgjedh investime të caktuara strategjike…Presim të votohet në parim dhe pastaj ndërmjet dy leximeve edhe të hapet për kontribute, kështu është edhe me Rregullore të Kuvendit, secili deputet. Por, e rëndësishme është që ky ligj është i nevojshëm të miratohet ne afatin sa më të shkurtër, marrë parasysh rëndësinë që ka për Kosovën, por pastaj gjithsesi tek investimet është një prioritet kombëtar dhe duhet të hapet dhe të shohim se çfarë kontributesh mund të kemi nga secila palë”, thotë Muja.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë të këtij viti ka miratuar Projektligjin për investime të qëndrueshme. Kryeministri Albin Kurti me atë rast ka thënë se ky Projektligj nxit investimet dhe zhvillimin ekonomik./21Media

Back to top button