Kujdes mjekësor për të burgosurit

Kujdes mjekësor për të burgosurit

Avokati i Popullit, pas ankesave të disa të burgosurve që të lirohen nga vuajtja e mëtejme e dënimit për shkak të pandemisë me koronavirus, kërkon nga autoritetet kompetente të ofrojnë kujdes mjekësor për të burgosurit që kanë nevojë dhe nëse është e nevojshme jashtë burgjeve dhe qendrave të paraburgimit nëse një gjë e tillë është e mundur.

Avokati i Popullit ua rikujton të gjitha organeve kompetente të Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për personat e privuar nga liria, se masat mbrojtëse asnjëherë nuk duhet të rezultojnë në trajtim çnjerëzor dhe degradues të personave të privuar nga liria e tyre.

Po ashtu, Avokati i Popullit i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’ua dërgojnë të gjitha ministrive relevante, si dhe çdo autoriteti tjetër (përfshirë gjyqësorin dhe Kuvendin e Kosovës) përgjegjës për gjendjen e personave të privuar nga liria e tyre këto dy dokumente të rëndësishme për trajtimin e personave të privuar nga liria në këtë periudhë pandemie globale.

Avokati i Popullit inkurajon autoritetet kompetente që deri më 30 prill 2020 t’ ia dërgojnë KPT-së një raport për masat konkrete të ndërmarra në kontekst të pandemisë globale COVID-19 në lidhje me trajtimin në burgje të personave të privuar nga liria e tyre, si dhe në institucionet e tjera, në veçanti, në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale dhe në institucionet e mbajtjes për të huajt.

Aty ku vizitat familjare janë ndaluar për arsye shëndetësore, Avokati i Popullit kërkon të sigurohen mënyra të tjera të cilat u ofrojnë të burgosurve kontakte me familjet e tyre dhe kontaktet me botën e jashtme, për shembull përmes telefonit, përmes internetit/email, video-komunikimit dhe mjete të tjera elektronike të përshtatshme. Kontaktet e tilla duhet lehtësohen, të inkurajohet dhe të jenë të shpeshta dhe pa pagesë.

Avokati i Popullit inkurajon organet kompetente që të shqiptojnë sanksione alternative ndaj paraburgimit në mënyrë që të parandalohet rritja e numrit të të burgosurve dhe të mos rrezikohet parimi i distancës sociale, e cila është një nga masat e proklamuara nga OBSH-ja në luftën kundër COVID-19.