Ministri u shpreh se punëtorët në Kosovë meritojnë kushte dinjitoze

Ministri u shpreh se punëtorët në Kosovë meritojnë kushte dinjitoze

Situata në shumë sektorë të ekonomisë në Kosovë, sa i përket sigurisë në punë, vazhdon të jetë problematike. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica sot ka vizituar një nga vendpunishtet e ndërtimit të lartë në Prishtinë, për të parë nga afër respektimin e masave të sigurisë dhe shëndetit, si parakushte për parandalimin e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës.

Reçica me këtë rast ka takuar punëdhënësit dhe punëtorët me të cilët ka biseduar rreth rëndësisë respektimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, përkatësisht, të legjislacionit nga kjo fushë.

Ai theksoi se punëtorët në Kosovë meritojnë kushte dinjitoze për punë, në përputhje me standardet evropiane dhe mbi të gjitha, siguri dhe shëndet në vendin e punës.

“Jeta e punëtorëve tanë vlen dhe ne duhet të mbrojmë atë. Do të jemi të pa kompromis në zbatimin e legjislacionit aktual nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë por edhe këmbëngulës në përpjekjet për avancimin e mëtejmë të tij”, ka thënë Reçica.

Në konferencën e fundvitit, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte paraqitur vitin 2018 si vitin me më së shumti raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës. “Gjatë këtij viti ka pasur 23 raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e punës. Fatkeqësisht është numër rekord”, kishte thënë kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi./21Media