Të sistemohet dokumentacioni arkivor për njerëzit që u sakrifikuan për liri

 

Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës sot është hapur ekspozita “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj”, ku u shtrua nevoja e sistemimit të dokumentacionit arkivor në mënyrë që të prezantohet siç duhet historia e Kosovës.

Në hapjen e kësaj ekspozite u bë e ditur se këtë vit do të fillojë ndërtimi i kullës së heroit Salih Çekaj.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se është e rëndësishme që të sistemohet i gjithë dokumentacioni arkivor për njerëzit që kanë sakrifikuar për lirinë. Ai tha se ndihet i nderuar të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës për veprimtarinë e Salih Çekajt jo vetëm si kryeministër, por edhe si individ.

Lirinë që gëzon Kosova sot, Hoti tha se është meritë e heroit Salih Çekaj dhe gjithë bashkëluftëtarëve të tij.

“20 vjet pas luftës është tepër e rëndësishme që të sistemojmë gjithë dokumentacionin e nevojshëm arkivor për gjeneratat e ardhshme, për njerëzit që kanë sakrifikuar më së shumti për lirinë të cilën e gëzojmë sot. 13 vjet prej se kemi shpallur pavarësinë dhe kur shihemi me miq ndërkombëtarë dhe kur kthehemi në Kosovë e shohim ndryshimin që ka ndodhur me kohë gjatë viteve dhe unë ndihem krenar që në mesin tonë kemi njerëz që kanë kontribuar për këtë ditë, me këtë ekspozitë… I kemi borxh këtij, familjarëve të tij, gjithë bashkëluftëtarëve për lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë sot”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bëri të ditur se këtë vit do të fillojnë projektin për ndërtimin e kullës së heroit Salih Çekaj.

“Në këtë ditë pavarësie ne sot po e hapim një ekspozitë tematike falë autorëve. Njëkohësisht, si ministre e Rinisë, Kulturës dhe Sportit bëj thirrje që të angazhohemi të gjithë t’i mbledhim dokumentet, fotografitë, gjësendet tjera që ne ta prezantojmë historinë tonë. 20 vjet pas luftës ne ende nuk kemi një dokumentacion të plotë se çka ka ndodhur në Kosovën tonë… Ju njoftoj që me vendimin tim do të ndërtohet Kulla e Salih Çekajt në fshatin e tij dhe sivjet menjëherë do të fillojmë me projektin”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i Muzeut Kombëtar, Ajet Geci bëri të ditur se ekspozita e hapur sot është bërë nga seksioni i historisë, në mënyrë që të mos harrohet jeta dhe vepra e heroit Salih Çekaj.

“Organizimi i ekspozitës për veprimtarinë e heroit Salih Çekaj në 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës na nderon si institucion. Ne si Muze Kombëtar i Kosovës do të jemi çdo herë në përkrahje të vlerave të trashëgimisë tonë kombëtare dhe luftës së lavdishme të UÇK-së, sepse vetëm duke respektuar të kaluarën tonë historike, ndërtojmë të ardhmen. Sot nderojmë sakrificën e gjithë brezave që kanë rënë për liri”, tha Geci.

Në emër të familjes Çekaj, vëllai i heroit, Musë Çekaj tha sesa më i bashkuar që të jetë kombi, aq më i fortë do të jetë.

“Të jemi së bashku gjithmonë, sa më shumë të bashkuar”, tha ai.

Ndërsa në emër të shoqatës humanitare “Salih Çeku” në Zvicër, të pranishmit i përshëndeti Xhemajl Haxhiu.

Autorë të ekspozitës “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj” janë Besnik Rraci dhe Sadik Krasniqi.

Ekspozita përfshinë 300 fotografi që pasqyrojnë veprimtarinë e heroit, dokumente arkivore, artistike e të tjera.

Ndërsa projekti i fundit i paraparë nga këta autorë është botimi i një libri për jetën dhe veprën e Salih Çekaj.

Back to top button