Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ditën e zgjedhjeve ka deklaruar se të gjithë së bashku duhet treguar se përtej partive për ata është Shqipëria.

Rama ka shkruar se qytetarët duhet të shprehin bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit.

“Le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, 3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri sot do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vjetët e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.