“Të ulet akciza dhe TVSH-ja e naftës” Tahiri: Bizneset janë pranë kolapsit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se bizneset në Kosovë janë në prag kolapsi për shkak të çmimit të lartë të naftës dhe obligimeve fiskale, duke kërkuar nga Qeveria uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se çdo ditë pa veprime konkrete po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune, ndërsa shtoi se, sipas tij, përpjekjet e Qeverisë për të kontrolluar çmimet duke detyruar bizneset të shesin me humbje nuk janë zgjidhje.
“Shtetet serioze nuk bëjnë populizëm me çmime artificiale. Ato ulin përkohësisht akcizën dhe TVSH-në, subvencionojnë sektorët kritikë, krijojnë rezerva strategjike shtetërore dhe targetojnë ndihmën direkt te qytetarët”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Sipas Tahirit, përvoja e Ukrainës gjatë krizave dhe modeli i Japonisë me rezerva shtetërore tregojnë se si duhet të veprohet në situata të tilla ekonomike.
“Ky nuk është menaxhim ekonomik, është një iluzion i rrezikshëm që do të paguhet shtrenjtë nga qytetarët. Veproni sot. Nesër mund të jetë vonë”, ka shkruar ai.