Dy prestigjiozet gjermane, “TAZ” dhe “Der Tagesspiegel” kanë shkruar gjerë mbi shfaqjen “Kthimi i Karl May– një shfaqje zbavitëse për popullin gjerman”, produksion i Qendrës Multimedia, teatrit Volksbühne nga Berlini dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Videoja 40-minuteshe me skena të shfaqjes “Kthimi i Karl May” është dhënë si premierë nga 24-26 qershor, në festivalin ndërkulturor Postwest në Volksbühne Berlin.

“Ben Nemsi te Handke” dhe “Përshëndetje nga Ballkani” janë titujt e artikujve, të cilët video-performancën e aktorëve kosovarë e cilësojnë si një risi interesante në edicionin e sivjetmë të Postwest.

“Kthimi…” në tekst të Jeton Nezirajt është një format interesant i satirës “që shpeshherë është skajshmërisht i mprehtë në reflektimet e projeksioneve të ndërsjella në mes Lindjes e Perëndimit…”, shkruan gazeta “TAZ”.

Shfaqja flet për rrugëtimin e Kara Ben Nemsi,t i cili bashkë me një grup aktorësh nga Kosova ikë nga Lindja ndërsa shkon drejt tokave gjermane. Në këtë udhëtim epik ai takon Slavoj Zhizhekun, Peter Handken e personazhe të tjerë intrigues. “Kthimi i Karl May-it është një satirë jashtëzakonisht e pakursyer, e cila absolutisht ia vlen të shihet”, shkruan “Der Tagesspiegel”.