Tri shtëpi të mëdha televizive amerikane si ABC, MSNBC dhe CBS kanë ndërprerë adresimin e presidentit Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë, sapo përmendi se ai është fitues i zgjedhjeve.

“Përsëri jemi në situatë të pazakonshme, jo vetëm që jemi të detyruar ta ndërpresimi presidentin e Shteteve të Bashkuara, por duhet edhe ta korrigjojmë presidentin”, ka thënë moderatori i MSNBC, Brian Williams.

Numërimi i votave nëpër shtetet kyçe është duke vazhduar në Shtetet e Bashkuara.

Kandidati demokrat, Joe Biden, është më pranë fitores, ndërsa ai republikan, njëherësh president i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë akuza që sulmonin procesin demokratik të vendit.

Në tri nga katër shtete kyçe, ku fituesi nuk është parashikuar ende, margjina midis dy kandidatëve është ngushtuar edhe më shumë, të premten. Në Pensilvani, Trump ndodhet në avantazh me 1,709 vota, ndërsa në Nevada dhe Arizona, Biden është në avantazh të lehtë dhe në rrugë për të siguruar 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të cilat e përcaktojnë fituesin.

Biden ka fituar deri më tani 253 vota të Kolegjit Zgjedhor, dhe e gjithë vëmendja u përqëndrua në numërimin e votave në Pensilvani, ku u numëruan fletëvotimet nga zonat përreth Filadelfias.

Biden do të bëhej presidenti i ardhshëm nëse fiton Pensilvaninë, ose dy nga këto shtete: Xhorxhian, Nevadan dhe Arizonan.

Ndërsa Trump duhet të mbajë avantazhet e tij në Pensilvani dhe Xhorxhia, ndërsa i duhet të kalojë Bidenin në Nevada ose Arizona.