Temat kryesore të samitit BE-Ballkan Perëndimor

Një ditë para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë, mësohen disa nga pikat e diskutimeve dhe vendimeve të mundshme të së martës nga vendet e unionit në kryeqytetin shqiptar. Ndalimi i emigrantëve të paligjshëm që kalojnë nga vendet e Ballkanit drejt vendeve të BE-së, mbështetja për krizën energjitike, heqja e tarifave për shërbimin celular Roaming, si dhe ndalimi i rrjedhjes së trurit, pritet të jenë në qendrën e diskutimeve dhe vendimmarrjeve të liderëve të BE-së.
Bashkimi Evropian shprehu të hënën shqetësimin e tij nga rritja e valës së imigrantëve ilegalë, të cilët hyjnë në BE përmes territorit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shpalosi një plan për adresimin e tyre.
Sipas këtij plani, që prezantuan nënkryetari i KE-së, Margaritis Schinas, dhe komisionerja për punë të brendshme, Ylva Johansson, menaxhimi i kufijve me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të forcohet.
Po ashtu, duhet të sigurohet qasje e shpejtë në sistemin e azilit, kapacitet për pranimin e refugjatëve, pastaj të luftohet trafikimi i emigrantëve, të zbatohen marrëveshjet për ripranim dhe riatdhesim, si dhe të përshtatet regjimi i vizave i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përshtaten me politikën e vizave të BE-së.
Në të kundërt ka paralajmëruar se rrezikohet edhe liberalizimi i vizave që BE-ja ka me shumicën e vendeve të këtij rajoni.
Po ashtu Brukseli zyrtar ka një tjetër projekt ambicioz ekonomik për vendet e Ballkanit, duke nxitur një realitetit të ri për tregun e brendshëm rajonal.
Në fushën energjitike, BE ka bërë thirrje për asociimin e vendeve të Ballkanit në platformën europiane të energjisë për blerjet e përbashkëta për hidrokarburet, që po përgatitet nga Komisioni Europian.
Në këtë kuadër, në fokusin e diskutimeve do të jetë dhe sigurimi i tranzicionit të investimeve në fushën e energjisë në kuadrin e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së.
Përveç kësaj, Bashkimi Europian do të kontribuojë për përballjen e krizës energjitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të ndihmuar familjet dhe bizneset në Ballkan të mos vuajnë pasojat e çmimeve të larta të energjisë, përmes paketës prej 1 miliard euro të parashikuar për rajonin.
Po ashtu një tjetër vendim i rëndësishëm për qytetarët e Ballkanit do të jetë dhe ai për të ulur koston e shërbimit “Roaming”, që është ulja tarifave të telefonisë celulare midis qytetarëve të BE-së dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
Më konkretisht, pritet që operatorët telefonikë të nënshkruajnë një deklaratë me vendet e rajonit para samitit, që parashikon uljen e tarifave të roaming për telefonatat midis BE-së dhe Ballkanit duke filluar nga tetori 2023.
Përveç kësaj, pritet të ketë një angazhim të operatorëve telefonikë, që kostot e Roaming të pësojnë një ulje më të madhe midis viteve 2023 dhe 2027.
Tjetër fushë ku Bashkimi Evropian po angazhohet është ndalimi i rrjedhjes së trurit nga Ballkani Perëndimor dhe krijimi i mundësive ekonomike për të rinjtë e kualifikuar që ata të qëndrojnë të jetojnë në rajon.
Në Samit do të përfshihet Inisiativa për Universitetet e Hapura, program, që bën të mundur asocimin e studentëve nga rajoni në inisiativën e Universiteteve Europiane, ashtu si dhe programi “Erasmus plus”, që mundëson integrimin e studentët e Ballkanit Perëndimor në programet e BE-së.
Nga Brukseli mësohet se BE-ja po ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për sulmet kibernetike që kanë ndodhur së fundmi në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, në mënyrë që të rrisin qëndresën e tyre lidhur me sulmet kibernetike./oranews

Back to top button