Temperaturat e larta, Nobërdaliu: Fëmijët dhe të moshuarit më të prekurit

Si pasojë e temperaturave të larta në vend është shtuar edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë. E grupmoshat më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit, për të cilët doktoresha Violeta Haxhiaj – Nobërdaliu thotë se nuk duhet të dalin jashtë prej orës 10:00 deri në 17:00.

Specialistja e mjekësisë familjare në QMF-në 11 në Prishtinë, sipas së cilës numri i pacientëve është shtuar rreth 20%, jep edhe rekomandime të tjera sesi të përballemi më lehtë me temperaturat e larta në vend.

Nobërdaliu tregon për kp edhe për simptomat që zakonisht shfaqin pacientët që po kërkojnë ndihmë mjekësore këto ditë.

“Temperaturat e larta që po mbizotërojnë këto ditë ndikojnë negativisht të shëndeti i të gjithë njerëzve, sidomos grupmoshat më të prekura janë të moshuarit dhe ata persona që kanë sëmundje kronike. Të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje që kanë sëmundje kronike duhet të i përmendim ata që kanë probleme me sëmundje të zemrës, tension të lartë , personat që kanë probleme me diabet sheqer të ngritur dhe probleme tjera shëndetësore dhe pamjaftueshmëri të veshkës dhe mëlçisë. Personat tjerë që janë të prekur nga të nxehtit janë fëmijët e vegjël, bebet, gratë shtatzëna sportistët dhe personat që punojnë punë fizike në ambiente te hapura apo ndërtimtari kemi pas raste por këta që punojnë në ambiente të hapura nëse punojmë në pikën e vapës këto ditë shumë të nxehta të kenë kujdes, kapelat t’i vënë, të lyejnë fytyrën ose pjesët e ekspozuara me kremra mbrojtës deri 50 të pinë ujë sa më shumë, duhet të pinë dy litra ujë në ditë, të mundohen të shfrytëzojnë hijet”, thotë ajo.

Kokëdhimbja, marramendja, të vjellat dhe diarreja janë simptomat më të shpeshta të njerëzve të prekur nga temperaturat e larta.

“Në qendrën e mjekësisë familjare ku çdo qytetarë që ka nevojë të kërkojnë këshillë mjekësore, të kërkojë tek mjeku familjarë ata të cilët kanë nevojë kemi pasur disa raste me shenja të lehta me kokë dhimbje, mundimi, vjellja barkqitja tek fëmijët më simptoma të vjelljes dhe diarresë që i kemi trajtuar. Unë mendoj që këtë kohë e kemi pasur verë të shtyrë dhe temperaturat janë më të larta, duke bërë të shtohen deri 20 % të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore”, thotë ajo.

Specialistja e mjekësisë familjare ka propozuar kujdes maksimal ndaj ekspozimit të diellit, sidomos nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 17:00 të mbrëmjes.

Sipas saj, mëngjesi i hershëm dhe mbrëmja janë periudhat kur rekomandohet të kryhen aktivitetet ditore.

“Si për fëmijë dhe të moshuar është shumë me rëndësi që të mos dalin në rreze të diellit, të mos ekspozohen në diell nga ora 10:00 deri 17:00. Edhe të moshuarit kanë nevojë të dalin në ecje ato shëtitje, t’i bëjnë në orët e hershme të mëngjesit ose në orët vonshme të mbrëmjes. Shumë ndikon që një person të kryejë aktivitete, por këto aktivitete të jenë në orët e hershme të mëngjesit, të veshin rroba të hapura, të vendosin kapelë në kokë, rrobat me qenë të pambukta dhe të lirit me ngjyra të hapura… Të ushqeheni, është shumë me rëndësi me supë, pemë dhe perime sezonale të cilat janë edhe më të kushtueshme për xhepin tonë”, shprehet Nobërdaliu.

Kujtojmë që, ditëve të fundit, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat maksimale kanë shkuar deri në 36 gradë Celsius. Instituti ka bërë thirrje për kujdes nga rrezet direkte të diellit, për shkak të indeksit UV të lartë.

Back to top button