Tenderi i negociuar prej 9.4 milionë euro për librat, deputetët kërkojnë llogari nga KRPP

Anëtari i Komisionit për Buxhet, Shala ka kritikuar Bordin e Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) për tenderin e negociuar në vlerë prej 9.4 milionë euro për librat.

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të KRPP-së në këtë Komision, deputeti Shala theksoi se ky tender është zhvilluar është zhvilluar me procedurë të negociuar.

“Na jepni detaje ju si e keni vlerësuar këtë tender, sepse nuk ka ligj të veçantë që e thotë tekstet shkollore ekskluzivisht negociohet. Nuk ka ligj të veçantë që ja merr të drejtën autoriale të tjerëve dhe ja jep vetëm dikujt, sepse e drejta është e secilit individ. A mund ta dimë si ka ardhur kjo kontratë, që sot fëmijët tanë edukohen prej këtyre negociatave direkte në tavolinë. Nuk është e drejtë autoriale, ne e dimë çfarë thotë ligji për të drejtat autoriale. Kush e ka të drejtën autoriale për nëntë klasë. S’ka mundësi me pas këtë. Nëse s’keni koment kërkojmë përgjigje me shkrim zyrtarisht në afatin më minimal të mundshëm. Kërkoj me pas çdo detaj rreth këtij tenderi që është i negociuar me Ministrinë e Arsimit”, tha Shala.

Përkundër kritikave, kryetari i Bordit të KRPP-së, Osman Vishaj e ka arsyetuar këtë duke thënë se është një ligj i veçantë që e ka mundësuar këtë tender me librat.

“Është me një ligj të veçantë, e kemi diskutuar që është e lejuar shtypja e librave. Bëhet me ligj të veçantë, është ligji për arsimin që e lejon të shkojë me atë procedurë”, tha Vishaj.

Pas kërkesës së deputetit Shala, Vishaj ka thënë se do të dërgojnë Komisionit një përgjigje edhe me shkrim për tenderin me librat.

“Për Ministrinë e Arsimit për libra nuk jemi shumë të informuar, jemi në vija të trasha. Në afatin më të shpejtë do të japim me shkrim përgjigjen. Ndërsa për procedurat e negociuara u munduam ta shpjegojmë, nuk po themi me fajësua ligjin, por ju jep pavarësi të madhe autoriteteve kontraktuese dhe procedura e negociuara e zvogëlon konkurrencën. Tash si institucion çfarë ka ndryshuar në ministrinë e linjës nuk e dimë, por ato raste…”, tha Vishaj.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Armend Muja ka pyetur Bordin e KRPP-së, për hapjen e kontratave pa pasur mjete financiare.

“Një nga çështjet që ka qenë edhe vitin e kaluar është hapja e kontratave pa disponim të mjeteve, që është një nga parakushtet bazë të Ligjit të prokurimit publik. Dikush mund të hap kontratë, ose të bëjë njoftime për kontratë pa pasur disponim të mjeteve, kjo edhe ka qenë e gjetur e Auditorit të Përgjithshëm, por edhe diskutimit të viti të kaluar. Kjo nuk është realizuar si objektiv, cilat kanë qenë vështirësitë dhe kur mendon se këto do të realizohen”, ka pyetur Muja.

Ndërkaq anëtari nga Bordit i OShP-së, tha se kjo objektivë nuk është arritur për shkak të çështjeve teknike.

Avni Sahiti, anëtar i bordit të këtij institucioni ka prezantuar para Komisionit raportin 2022 dhe ka konstatuar se progresi dhe rezultatet e arritura në KRPP janë pozitive dhe në pajtueshmëri me planin e përformancës.

Back to top button