Një polic është plagosur sot me armë zjarri në Prishtinë, gjatë një një aksioni për të kapur grabitësit e një bankomati. Pas tratmanit mjekësor në QKUK, polici është liruar për në shtëpi.

Policia për rtv21.tv ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin, me ç’rast ka theksuar se nga veprimet e hetimit dhe gjurimit në vendin e ngjarjes kanë nxjerrë në pah dyshimet për katër të dyshuar të përfshirë në rast si dhe të armatosur me armë të gjata, të cilët me breshëri kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policor.

“Duke parë rrezikun e menjëhershëm, të drejtpërdrejtë dhe krejtësisht të pashmangshëm për jetën e tyre zyrtarët policor kanë përdorur armën e tyre me qëllim të parandalimit të sulmit serioz nga të dyshuarit. Si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit përveç plagosjes së zyrtarit policor janë shkaktuar edhe dëme materiale në një veturë të policisë si dhe në një kamion dhe në një automjet tjetër transportues.”, ka informuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipaj tij, të dyshuarit me qëllim të hapjes së bankomatit dhe grabitjes së parave, dyshohet të kenë përdorur materie shpërthyese, por përkundër kësaj si rezultat i reagimit policor, nuk kanë arritur t’i grabisin ato.

“Policia bashkërisht me prokurorin e shtetit po koordinojnë veprimet vijuese hetimore deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke orientuar hetimin për grabitje të armatosur në tentativë dhe vrasje e rëndë në tentativë.”, ka shtuar tutje Borovci për rtv21.tv./21Media