Një polic është plagosur me armë zjarri sot në lagjën Veternik në Prishtinë, gjatë një një aksioni për të kapur grabitësit e një bankomati.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor”, ka thënë Borovci.

Polici i plagosur është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Borovci për portalin rtv21.tv ka thënë se policia është në vendin e ngjarjes dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit./21Media