Lëvizja Vetëvendosje përmes një rezolute në Kuvend po tenton t’ia pamundësojë qeverisë Hoti përfshirjen në nismën rajonale të ashtuquajtur “mini-shengeni ballkanik”.

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në interpelancën e sotme në Kuvend, ka adresuar një mori akuzash ndaj kryeministrit Hoti. Ajo tha se ky i fundit ka ndryshuar qëndrimet për mini-shengenin me gjithë dijeninë e tij se ky projekt është i dëmshëm për vendin.

“Nismat që prezantohen nga Serbia si zëvendësim i integrimeve euro-antlantike janë të dëmshme dhe papranueshme. Kuvendi nuk mbështet asnjë nismë ose deklaratë që unifikon tregun me Serbisë, përveç në BE si anëtare të barabarta”, tha ajo.

Krahas kësaj, deputetja opozitare tha se kryeministri Hoti me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit ia ka garantuar infrastrukturën Serbisë.

“Këto kompletojnë skemën e interesave të Serbisë në rajon, asaj nuk i mjafton vetëm tregu, i duhet edhe infrastruktura. Me 4 shtator me marrëveshjet e nënshkruara nga Avdullah Hoti ia garantojnë Serbisë… pas katër shtatorit Serbia e konsideron Kosovën si territor të vetin, cila është e përbashkëta e veprimeve të fundit. I ashtuquajturi mini-shengeni ballkanik mohon ekzistencën e Kosovës si shtet, mohon kufijtë e saj shtetëror. Përjashton të drejtën e saj sovrane për të kontrolluar territorin e vet. Jep kontrolle për tregun rajonal”, tha ajo.

Ajo paraqiti edhe disa argumente të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa se pse Kosova duhet të refuzoi një nismë të tillë.

“E de faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në theks të marrëdhënieve rajonale. Marrëveshja nënkupton delegimin e fuqisë shtetërore në mini-shengen. Favorizon shtetet rajonale që kufizohen me shtetet anëtare të BE-së përmes politikës së taksës. Ndërkaq Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në. Krijon mundësi për evazion nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike Ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. Si vend influencë më të madhe në rajon Serbia tenton që përmes kësaj të mbajë sa gjatë rajonin jashtë BE-së”, tha ajo.

Kjo interpelancë e kryeministrit Hoti në Kuvend është duke vazhduar, derisa grupet parlamentare po japin qëndrimet e tyre për këtë temë.