Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, ka konfirmuar se deri më tani është shënuar një viktimë nga tërmeti 6.4 shkallësh që ka goditur sot Kroacinë. Ndërsa ka thënë se ende nuk ka të dhëna nëse në mesin e të lënduarve gjendet ndonjë kosovarë.

Përmes profilit të tij në “Facebook”, ambasadori Kasapolli iu ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që në raste urgjente te lajmërohen në numrin emergjent te Ambasadës se Republikës se Kosovës ne Kroaci +385916037343”.

“Te nderuar, nje termet tjeter i fuqishem 6.4 shkalle te Rihterit e goditi sot Kroacine. Epiqendra e termetit ishte ne Petrinje, 44 kilometra larg Zagrebit dhe eshte ndjere edhe ne shtetet fqinje. Deri me tash raportohet per nje viktime, vajze e vogel, shume te tjere te lenduar dhe deme te medha materiale. Per momentin, nuk kemi te dhena per te lenduar bashkatdhetare tane ne Kroaci”, ka shkruar ai.

Një ditë më herët (28 dhjetor) një tërmet i moderuar dridhi pjesën qendrore të Kroacisë dhe kryeqytetin e saj, Zagreb, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa. Tërmeti u pasua nga një dridhje tjetër, me fuqi prej 4.9 shkallësh. Në muajin mars, një tërmet prej 5.3 shkallësh të Richterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb. Një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën. /21Media