Myftiu Naim Tërnava i është drejtuar sot qytetarëve të Kosovës me një urim për festën e Fiter Bajramit.

Duke kujtuar mirësinë e muajit të shenjtë të Ramazanit, Tërnava tha se sivjet ky muaj ishte më i veçantë për të gjithë myslimanët në botë.

Me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë dhe mbrojtjes së jetëve të njerëzve tanë, të gjitha ibadetet e lutjet e nevojshme i kemi kryer në ambientet tona familjare dhe kemi shndërruar shtëpitë tona ne xhami“, tha Myftiu, duke shtuar se kujdesin për shëndetin publik e kemi urdhër nga i madhi Zot dhe nga porositë e Pejgamberit, si dhe nga mësimet dhe praktikat e mjekëve të hershëm myslimanë.

Sipas njohësve të fushës, pandemia po shkon drejt fundit, mirëpo virusi është ende i pranishëm në mesin tonë, andaj na duhet edhe pak durim, edhe pak disiplinë e rregull që të dalim me sa më pak pasoja nga virusi në fjalë. Nëse kemi kuptuar drejt dhe kemi përvetësuar mësimet e virtytet që jep agjërimi për besimtarët, atëherë duhet të jemi të  durueshëm ngase agjërimi është simbol i durimit e qëndrueshmërisë, andaj na duhet durim se vërtetë durimi, rendi e rregulli janë parime të fesë sonë“, shtoi Tërnava.

Ai tutje tha se populli ynë në vazhdimësi ka ditur që të rreshtohet drejtë, gjithherë ka manifestuar kulturë të lartë të përgjegjësisë, qoftë si individ po edhe si shoqëri.

Kjo më së miri u dëshmua edhe tani me rastin e pandemisë, ku me zbatimin  dhe aplikimin e udhëzimeve profesionale nga kompetentët, vërtetë treguam kulturë të lartë e përgjegjësi qytetare, dhe kështu kemi arritur  të për ballojmë mirë pandeminë që rrezikon shëndetin publik“, tha tutje ai.

Tërnava kërkoi nga qytetarët që ta ruajnë karakterin festiv të Bajramit në shtëpitë e tyre me familje, pranë të dashurve të tyre.

Ju porosis që të shmangni vizitat tradicionale që bëhen për Bajram, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar ende, ndërsa ne me veprimet tona dhe disiplinën tonë mund të bëjmë që ky virus të dobësohet dhe sa më parë të shpallim fitoren ndaj kësaj pandemie. Duke lutur Zotin që të ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetete punët tona të mira, kudo që jeni ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve festën e Fiter Bajramit“, përfundoi Tërnava./21Media