Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava sot iu drejtua besimtarëve myslimanë me mesazhin e Xhumasë.

Ai foli për rëndësinë dhe vlerën e 10-ditëshit të fundit të Ramazanit dhe kërkimit të Natës së Kadrit, duke ftuar besimtarët që të garojnë me ibadete të shumta për të përfituar nga mëshira e Allahut.

Myftiu ritheksoi se atmosfera e këtij Ramazani ka qenë më ndryshe për shkak të pandemisë dhe se secili besimtar e ka ndjerë mungesën e iftarëve të përbashkëta me familjarë e miq, duke uruar që të jetë i fundit i këtij lloji.

Po ashtu, Myftiu Tërnava trajtoi çështjen e hapjes së xhamive, duke thënë se vendimet që ka marrë BIK-u kanë qenë tejet të vështira, por të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit publik.

Myftiu tha se përmallimi për xhami buron nga imani tek secili mysliman, por që duhet pritur edhe pak derisa të fitohet beteja me pandeminë.

Ai tha se çështja e hapjes së xhamisë nuk duhet të polarizohet e politizohet për interesa të caktuara.

“Unë si myfti i Republikës së Kosovës iu ftoj të gjithëve, iu thërras të gjithëve në veçanti gjatë këtyre netëve të fundit të muajit të bekuar Ramazanit, që çështjen e xhamive mos ta polarizojmë as mos ta politizojmë, mos t’i japim ngjyrë çfarë ajo nuk e meriton me pasë, pezullimi i namazeve nëpër xhami të mos shërbejë për dikë që ai të krijoi emër duke fyer e duke sharë por të shërbejnë që neve të na motivojë për punë e lutje më të mëdha drejtuar Zotit që këtë pandemi, këtë sëmundje, këtë virus të largoj nga globi mbarë dhe të gjithë ne t’i kthehemi normalitetit”, u shpreh Tërnava.

Myftiu po ashtu tha se udhëzimet e institucioneve shëndetësore janë obligim që të respektohen dhe vetëm shoqëritë e pa konsoliduar me prirje anarkiste i sfidojnë ato.

Ai përmendi një takime me institucionet shëndetësore për të parë rrezikun e pandemisë dhe mundësinë e hapjes së xhamive.