“Terrori nuk ka as fe, e as komb! E nëse etiketohet islami me të, është një gabim i madh, pasi që me ardhjen islamit, ka ardhur mëshira për tërë njerëzimin, e ai që dëshiron e të përhapë terrorin nëpërmjet islamit, ai nuk e ka njohur aspak islamin”, tha për TV21, Usam Alimi, Imam në Vjenë.

Ky është mesazhi i Usam Alimit, imamit të Qendrës Kulturore Shqiptare në Vjenë.

Ai nuk e njohu sulmuesin shqiptar nga Tetova që u vra mbrëmë, por shtoi se personat që kanë qëndrime radikale fetare, nuk shkojnë në ndonjërën prej 5 xhamive ku ligjërohet shqip.

“Do me thënë pjesa dërrmuese e tyre frekuentojnë xhami të tjera. Xhaminë tonë, por edhe xhamitë e tjera brenda komunitetit shqiptar mysliman këtu në Austri, nuk i frekuentojnë”, u shpreh Usam Alimi për TV21.

Qendra apo xhami me rrymat ekstreme fetare nuk mungojnë në Vjenë, pohoo ai dhe shtoi se radikalizimi mund të ndodhë edhe përmes internetit.

“Janë informacione që mund t’i shkojnë gjithsecilit, edhe përmes internetit, por edhe përmes prezencës fizike nëpër qendra të ndryshme kulturore fetare. Nuk mund ta precizoj për cilën qendër mund të bëhet fjalë. Janë aq shumë qendra dhe xhami në Vjenë sa ndoshta edhe për vetë autoritetet austriake është e vështirë specifikohen”, theksoi për TV21, Usam Alimi, Imam në Vjenë.

Imami Alimi, që është edhe nënkryetar i komitetit shqiptar mysliman pranë bashkësisë islame të Austrisë tha se deri tek ekstremet, si fetare po ashtu edhe politike, arrihet kur mësimet dhe dituritë e dikujt janë të cekëta, shkruan TV21./21Media