Rritja e ditëve të fundit të numrit të rasteve me COVID-19 e ka vënë në dyshim mbajtjen e testit të arritshmërisë dhe atij të maturës. Ndonëse të hënën është vendosur që këto dy teste të mbahen, tashmë ky vendim mund të rishikohet.

Shtyrjen e mbajtjes së këtyre testeve po e kërkon edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës, ku kryetari i saj Ymret Reshiti, përmes një përgjigje me shkrim, tha se kanë kërkuar një gjë të tillë.

Ai shprehet se prindërit e kanë prioritet shëndetin e fëmijëve dhe se aktualisht ky është shqetësimi i tyre i vetëm dhe jo afatet e mbajtjeve të testimeve.

Në mëdyshje se a duhet të mbahen këto dy testime kur ka numër kaq të madh të rasteve me COVID-19, janë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit për Arsim.

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka, thotë se e ka të paqartë se si është marrë një vendim që këto testime të mbahen pa ndodhur një analizë e mirëfilltë.

Edhe deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, thotë se mbajtja e këtyre testeve paraqet rrezik për nxënësit.

Por, një organizim i mirë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ku do të respektohen të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe pa rrezikuar nxënësit, për Rinor Qehajën nga Instituti EdGuard, është i mundur.

Ai thotë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është institucion që e ka përgjegjësinë për organizimin e këtyre testimeve, e që sipas tij duhet të garantojë një organizim që vlerësimi është i besueshëm dhe nuk cenohet në asnjë moment mirëqenia e nxënësve gjatë testimit.

Se këto testime mund të shtyhet e thotë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili për KosovaPress deklaroi se në varësi të situatës me pandeminë COVID-19 do të marrin një vendim.

Likaj deklaron se në takimin që ka pasur me DKA-të është njoftuar se të gjitha përgatitjet janë bërë për testin e arritshmërisë, por që thotë se do të konsultohet prapë për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Ai thekson se shëndeti i nxënësve, mësimdhënësve është prioritet. Testi i arritshmërisë për klasat e nënta është caktuar për datën 23 qershor, ndërsa ai i maturës me 4 korrik. /kp