Testi i maturës, qindra postime në rrjetet sociale

KYC ka monitoruar 41 shkolla në 20 komuna të ndryshme të vendit

Derisa Ministria e Arsimit çdoherë thotë se testi ka përfunduar me sukses, Këshilli Rinor Kosovar pas monitorimit të pjesës së dytë të Testit Shtetëror të Maturës, i cili është mbajtur sot, ka vlerësuar se nga 75 qendra të testimit të monitoruara është raportuar për 77 % të bashkëpunimit dhe kopjimit. Dukuria tjetër shqetësuese është publikimi i testit online në faqe të rrjetit social “Facebook” ku është vërejtur mbi 140 postime të testeve dhe përgjigjeve.

KYC ka monitoruar 41 shkolla në 20 komuna të ndryshme të vendit siç janë: Prishtinë, Podujevë, Drenas, Obiliq, Fushë Kosovë, Prizren, Pejë, Klinë, Deçan, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, Gjilan, Istog, Kamenicë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Shtime, Rahovec.

“Për dallim nga pjesa e parë testi këtë radhë është përmirësuar dukshëm teknikisht me gabime minimale në teste, vonesa të pakta të administruesve dhe lehtësi në hyrjen e kandidatëve në klasat e testimit gjë që ka ndikuar që testi të filloj me kohë në pothuajse të gjitha qendrat e monitoruara nga ne. Mirëpo, edhe gjatë këtij testi madje dhe më shumë se gjatë testimit të parë qëndron sfida e dukurisë së bashkëpunimit dhe keq administrimit. Në këtë rast nga 75 qendra të monitoruara: Nga 75 qendra të testimit që janë monitoruar janë evidentuar mbi 30% të rasteve ku administrimi nuk ka qenë në nivelin e pritur, në krahasim me testin e parë të 14 Qershorit ku janë raportuar rreth 38% të rasteve të keq administrimit. Nga 75 qendra të testimit të monitoruara është raportuar për 77% të  bashkëpunimit dhe kopjimit. Në krahasim me testimin e parë ku janë raportuar 74%të rasteve të tilla. Ndërkaq, për dallim nga pjesa e parë kur janë përjashtuar 23 nxënës nga testimi në këtë pjesë janë përjashtuar vetëm 4 nxënës. Dukuria tjetër shqetësuese është publikimi i testit online në faqe të rrjetit social “Facebook” ku KYC ka vërejtur mbi 140 postime të testeve dhe përgjigjeve”, thuhet në komunikatë.

Këshilli Rinor Kosovar pas përpunimit të dhënave nga tereni do të publikoj raportin përfundimtar të monitorimit të Testit të Maturës.

KYC ka realizuar këtë monitorim me leje dhe me mbështetje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Back to top button