Mbrëmë janë regjistruar edhe 19 persona me COVID-19 në komunën e Prizrenit. Siç bëhet e ditur, të infektuarit e fundit janë zyrtarë policor, punëtorë të një kompanie private dhe raste të kontakteve.

Drejtori i shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu në një përgjigje për TV Prizrenin deklaroi se sot testimit i janë nënshtruar 120 persona.

“Gjatë ditës së sotme është kryer numër rekord testimesh në Prizren, pasi mostrimit i janë nënshtruar 120 persona të dyshuar me virusin famëkeq. Përveç QRSHP-së në Prizren, ekipe mjekësore nga IKSHPK kanë qenë të angazhuara në marrjen e mostrave të personave të testuar”, tha ai.

Shehu thotë se gjendja në këtë komunë është shqetësuese dhe numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i lartë. Ai apelon tek qytetarët që të iu përmbahen rekomandimeve të organeve përkatëse kundër përhapjes së koronavirusit.

Në Prizren deri më tani janë regjistruar 120 raste me koronavirus. 51 janë raste aktive, 67 të shëruar dhe 2 viktima.