Një person është arrestuar dhe një tjetër është në kërkim, nën dyshimin se kanë kryer tetë vjedhje në shtëpi të ndryshme, në Budakovë të Suharekës.

Policia Kosovës ishte informuar që nga 20 prilli për disa vjedhje në këtë fshat dhe për këtë kishin bashkëpunuar me qytetarët, ku edhe kishin monitoruar çdo lëvizje.

Dje është parë makina e dyshimtë e cila nuk ishte në pronësi të të dyshuarit, por ishte marrë me qira në Ferizaj.

Pas verifikimit të makinës, u identifikua i dyshuari. Përmes pajisjes GPS u verifikuan edhe lëvizjet e fundit të makinës, me ç’rast policia konfirmoi se e njëjta kishte qenë në të gjitha shtëpitë ku ishin kryer vjedhjet.

Policia arrestoi të dyshuarin, i cili gjatë intervistimit i pranoi të gjitha veprat penale me të cilat ngarkohej, ku pohoi se në bashkëpunim më një tjetër person, kishin kryer këto vepra penale.

Me vendim të prokurorit i dyshuari u ndalua për 48 orë.

Rasti vazhdon të hetohet./21Media